Kovaçevski gati me listën e ministrave, këta janë emrat e rinj në kabinetin qeveritar

Mandatari për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, Dimitar Kovaçevski tashmë siç mësohet ka finalizuar listën e kandidatëve për ministra.
Ai pritet që nesër para organeve më të larta partiake të LSDM-së të marr dritën jeshile dhe përkrahje për emrat që do të jenë në kabinetin qeveritar.

Ai ka dakorduar dhe harmonizuar qëndrimet edhe me partitë e koalicionit sidomos me BDI dhe partinë Alternativa, që po bëhet pjesë e shumicës parlamentare, përcjell INA.

Nëse kreu i LSDM-së, Kovaçevski nesër merr përkrahjen në strukturat më të larta partiake, atëherë ai pritet që të martën të dorëzoj në Kuvend për votim, propozimin e përbërjes së re qeveritare.

Kovaçevski për Telma ka konfirmuar se kandidatët për ministra janë zgjedhur dhe se pritet miratimi nga organet partiake socialdemokrate.
Oliver Spasovski do të ngelet si ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa ministri i drejtësisë, Mariçiq kalon si zëvendëskryeministër për eurointegrime, duke zëvendësuar Nikolla Dimitrovin. Jovan Despotovski po përflitet si ministër i mbrojtjes, që do të zëvendësoj Radmilla Sheqerinskën.

Ndërsa tani për tani nuk dihen emrat se kush do të drejtoj me Ministrinë e Kulturës, Transport dhe Lidhje, Punë dhe Politikë Sociale, si dhe me postin e zëvendëskryeministrit antikorrupsion.

BDI siç mësohet do të mbajë resorët e deritanishme përpos Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë që i kalon Alternativës. Nga kjo parti bëhet e ditur po ashtu se në gjithë dikasteret e deritanishëm mbeten ministrat e njejtë, ndërsa ministri i deritanishëm i Shoqërisë Informatike, Jeton Shaqiri kalon si ministër i arsimit, dikaster që deri tani i ka takuar LSDM-së. Ndërsa LSDM pritet të marr drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, që ishte drejtuar nga Arjanit Hoxha i BESËS. Në postin e ministrit në këtë dikaster po përflitet Trajan Dimkovski, i cili edhe më parë ka drejtuar këtë ministri.

Alternativa si pjesë e Qeverisë ka tre poste ministrore: Ministrinë e Shëndetësisë që do të drejtohet nga Bekim Sali, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nga Admirim Aliti si dhe Xhemail Çupi do të jetë ministër pa portofol përgjegjës për diasporën.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi pritet që më 15 janar të caktoj seancën për votimin e Qeverisë së re, e cila po formohet pas dorëheqjes së kryeministrit të deritanishëm Zoran Zaev, i cili u dorëheq pas humbjes së zgjedhjeve lokale. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey