Kovaçevski: Pres që deputetët të mendojnë për interesat shtetërore dhe jo vetëm për ato partiake

“Për vendimin në Kuvend pres një diskutim të frytshëm dhe thelbësor, pres që deputetët të jenë në nivelin e detyrës që kanë përpara dhe të mendojnë për interesat shtetërore, me maturi siç u ka hije, si përfaqësues të popullit, dhe jo vetëm për interesat partiake politike”, deklaroi ndër të tjera kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në një intervistë për MIA, lidhur me pritjet nga seanca e nesërme në Kuvend, në rend dite të së cilës është edhe propozimi francez.

Kovaçevski theksoi se fillimisht do të hapet një diskutim në Kuvend, e më pas do të miratohen konkluzionet, me të cilat Qeveria do të obligohet të veprojë në përputhje me disa parime nga të cilat nuk do të lejohet të devijohen, me qëllim të mbrojtjes së pozicioneve në raport me palën bullgare dhe të hapen negociatat me BE-në, përcjell INA.

Sipas tij, konkluzionet e miratuara do ta obligojnë Qeverinë që në procesin e negociatave të kujdeset jashtëzakonisht për vijat e kuqe, duke u angazhuar në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe se të gjitha specifikat dhe pozicionet do të ruhen dhe mbrohen.

“Ne e dimë se kush jemi dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë. Ne jemi maqedonas, flasim gjuhën maqedonase dhe kemi veçori specifike kulturore, tradita dhe zakone që i ruajmë dhe i respektojmë çdo ditë. Dhe me atë mendim dhe në atë mënyrë po bëjmë hapin e parë drejt BE-së, kështu do të hyjmë në BE, si maqedonas me gjuhën dhe identitetin tonë maqedonas”, tha Kovaçevski.

Në pyetjen se a po mbrohet vërtet gjuha maqedonase dhe frika se ka kurthe, sidomos me deklaratën e njëanshme, Kovaçevski përgjigjet se me fillimin e negociatave i gjithë legjislacioni i BE-së do të përkthehet në gjuhën maqedonase.

Çdo fjalë e folur apo e shkruar do të thuhet dhe shkruhet në gjuhën maqedonase. Nuk ka konfirmim dhe mbrojtje më të madhe për një çështje të rëndësishme identiteti se kjo. Kjo e mbyll njëherë e mirë çështjen e identitetit – shton ai.

Lidhur me protokollin, a është i harmonizuar, a e ka parë dhe kur do të jetë i disponueshëm për publikun, Kovaçevski përgjigjet: para së gjithash dua që të jetë i qartë – protokolli në fakt është procesverbali i takimit të ministritë e punëve të jashtme, një dokument dypalësh që nuk kushtëzon kuadrin e negociatave. Në fakt, protokolli nuk përmendet as në kuadrin e negociatave. Aq më tepër, protokolli konfirmon se nuk është i lidhur dhe nuk kushtëzon fillimin e negociatave. Për këtë arsye, apeloj që të mos spekulohet për përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij dokumenti.

Kryeministri thotë se ajo që është e rëndësishme të dihet për protokollin është se ai bëhet në bazë të reciprocitetit.

– Ne insistojmë në këtë. Kjo do të thotë se detyrimet apo detyrat që ne dhe Bullgaria do t’i vendosim vetes si dy shtete, në mënyrë dypalëshe, janë të vlefshme për të dyja palët. Askush nuk ka mandat të pranojë kërkesa të njëanshme dhe nuk mund të veprojë sipas tyre. Reciprociteti si parim është bazë për çdo gjë që bëhet – shtoi Kovaçevski.(INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey