Ende nuk është rënë në gjurmët e ish-kryebashkiakut të Vorës. Agim Kajmaku ndodhet në arrati, duke rënduar pozitën e tij juridike. Jo vetëm kaq, por tashmë emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve të Policisë dhe emri u është dërguar edhe njësive ligjzbatuese në Evropë, në shtete ku Policia shqiptare ka partneritet.
Më shumë se akuza, për Kajmakun kërkimet vijojnë, duke qenë se implikimi i tij fut në “siklet” edhe mazhorancën, e cila kandidoi dhe investoi për të në fushatën zgjedhore të 30 Qershorit, ku ai kandidoi për kryebashkiak në Vlorë.
Këtë të henën gjykata shtyut seancën për shqyrtimin e masës së sigurisë për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, pas ndryshimit të dëshmisë nga shefja e protokollit në Bashkinë Vorë. Seanca e radhës do të mbahet më 27 janar ora 10:00.
Raportohet se ndryshimi i dëshmisë së saj për falsifikim dokumentesh pritet që t’i rikthejë lirinë ish-kryebashkiakut Kajmaku. Vendimi për ndryshimin e masës nga “arrest me burg”, në “detyrim paraqitje”, pritet të merret nga gjyqtari Kujtim Vranici, i cili është i njëjti që vendosi të lërë në burg Kajmakun.
Agim Kajmaku akuzohet nga prokuroria për tri vepra penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”. Pas akuzave nga ana e Partisë Demokratike dhe fillimit të çështjes nga ana e prokurorisë së Tiranës, Agim Kajmaku u arratis.