Kryeministrja finlandeze Sanna Marin sot në vizitë zyrtare në Shkup, regjim i veçantë trafiku në qendër të qytetit

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Sipas agjendës, ajo është paraparë të arrijë në Shkup pasdite rreth orës 14:00 dhe do të pritet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski para qeverisë.

Të dy delegacionet do të kenë takim bilateral, ndërsa Marin dhe Kovaçevski do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

MPB-ja njoftoi se në atë periudhë në qendër të Shkupit ka një regjim të veçantë të komunikacionit dhe apelojnë që vozitësit të respektojnë rregullat.

“Më 20 qershor dhe më 21.06.2022 (e hënë dhe e martë) Kryeministrja e Republikës së Finlandës, Sana Marin do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për këto arsye, Departamenti për Siguri në Komunikacionin Rrugor do të marrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit në rrugët në zonën e gjerë qendrore të Shkupit. Ministria e Brendshme apelon tek të gjithë qytetarët pjesëmarrës në trafik që të respektojnë urdhrat që do të jepen nga punonjësit e policisë”, thonë nga MPB.

Finlanda, së bashku me Suedinë, janë dy vendet që, pas pushtimit rus të Ukrainës, vendosën të ndryshojnë politikat e tyre neutrale të sigurisë dhe të kërkojnë të anëtarësohen në NATO. Më 18 maj, autoritetet zyrtarisht dorëzuan aplikacionet për anëtarësim dhe po atë ditë qeveria në Shkup, në një seancë të jashtëzakonshme, autorizoi ambasadorin tonë në NATO, Dane Talevski, që të japë pëlqimin për pranim.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey