Ku është zhdukur ari?! Subjektet që mbledhin floririn tremben nga sekuestrot e Qeverisë

Në një epokë, ku tashmë pothuajse në çdo cep të botës mund të paguash online me karta krediti, në çfarëdolloj ore të ditës dhe të natës, një fenomen relativisht i ri, por masiv aq sa misterioz po shqetëson netët e shumë prej Bankave Qendrore, jo vetëm europiane: Ku është zhdukur ari?

Metali i çmuar, që tradicionalisht ka drejtuar ekonominë perëndimore, prej vitesh nuk përfaqëson indikatorin e vetëm të ecurisë financiare. Por vitet e fundit, analistët po vërejnë se një sasi e madhe e arit fizik është zhdukur.

Kur flitet për zhdukje, gazeta amerikane Wall Street Journal, që ka botuar pak kohë më parë një artikull mbi të dhënat e një raporti të Goldman Sachs, i referohet faktit që sasi të mëdha të metalit nuk janë më të regjistruara në kanalet zyrtare.

Shifra është aq e madhe, sa që edhe maja e këtij “ajsbergu” duket e frikshme. Sipas raportit, jo më pak se 1200 tonelata ar, me një vlerë rreth 57 miliardë dollarë, kanë dalë në pah vitet e fundit, pa qenë të regjistruara diku më parë.

Por cilat mund të jenë arsyet? Raporti ka dy hipoteza. E para, ka të bëjë me subjekte që po mbledhin sasi të konsiderueshme floriri për t’i shpëtuar sanksioneve ose sekuestrove të pasurive nga Qeveritë e tyre, nga momenti që këto sasi mund të fshihen fizikisht në vende dhe institucione ku këto vende nuk kanë juridiksion.

Hipoteza e dytë edhe më e zymtë dhe që për gazetën amerikane justifikohet edhe me sasitë e mëdha për të cilat flitet, ka të bëjë me subjekte të paidentifikuara ende, por sigurisht të fuqishme që po mbledhin sasi të konsiderueshme floriri për të përballur krizën e rëndë financiare që do buronte nga evente politike ekstreme.

Pra, sipas analizës, dikush ka “vënë bast” mbi një periudhë të zymtë për vendet më të zhvilluara, dhe po mbrohet me simbolin qindravjeçar të pasurisë dhe pushtetit, arin.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey