Kuksianët zgjedhin të dielën kryebashkiakun e ri

45 mijë e 946 qytetarë të Kukësit do drejtohen të dielën në kutitë e votimit për të zgjedhur kryetarin e ri për këtë bashki. Procesi do zhvillohet në 74 Qendra Votimi, një prej të cilave në institucionin e paraburgimit në Kukës. Në këto zgjedhje të pjesshme do të ketë një fletë votimi, në të cilën […]

shtator 23, 2023 - 16:50
 0  12
Kuksianët zgjedhin të dielën kryebashkiakun e ri

45 mijë e 946 qytetarë të Kukësit do drejtohen të dielën në kutitë e votimit për të zgjedhur kryetarin e ri për këtë bashki. Procesi do zhvillohet në 74 Qendra Votimi, një prej të cilave në institucionin e paraburgimit në Kukës.

Në këto zgjedhje të pjesshme do të ketë një fletë votimi, në të cilën numrin 1 e mban kandidati socialist Albert Halilaj, ndërsa i dyti renditet Emri Vata, që përfaqëson koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Në gjysmën e qendrave të votimit, katër anëtarë I përkasin Partisë Socialiste, dy PD-së zyrtare të Lulzim Bashës, i cili nuk ka kandidatë në këto zgjedhje dhe një anëtar Partisë së Lirisë.

Në 37 qendrat e tjera konfigurimi është me 3 anëtarë të PS, 3 nga PD-ja dhe një anëtar nga PL-ja.

Materialet zgjedhore janë transportuar nga mjetet e ushtrisë të shoqëruara nga policia e shtetit dhe janë vendosur që të premten në palestrën e shkollës 9 vjeçare “Lidhja e Prizrenit”.

Zgjedhjet e Bashkisë Kukës do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 25 milionë Lekë.

Kukësi shkon në zgjedhje të pjesshme pas video-skandalit seksual ku ish-kryebashkiaku Safet Gjici u shfaq duke kryer marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi brenda në ambientet e zyrës së bashkisë.

Gjici akuzohet për korrupsion pasiv, se ka favorizuar Kaçin lidhur me një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.