Kumanovari ankohet se vetëm atij i është prishur tarraca e lokalit: Komuna është selektive, Maksi të na trajtoj njejtë (VIDEO)

Nën kontrollin e policisë iu rrënua tarraca e lokalit në lokalitetin Garnizon në Kumanovë.

Egzon Iseni, pronari i një lokali në Kumanovë ankohet se pa e lajmëruar kanë filluar t’ia rrënojnë tarracën e lokalit, dhe se vetëm atij i është prishur, derisa lokalet e tjera përreth nuk preken.

“Unë nuk kam marrë asnjë dokument. Vetë kur kam ardhur sot e kam pare se kanë filluar me i heq dritaret, s’kam marrë dhe pranuar asgjë. Por nuk jam i vetmi unë të gjithë kanë tarraca e shihni këtu ne rrethinë, unë me leje me prish ka disa pa leje nuk po prishen”, tha për TV21, pronari i lokalit Egzon Iseni.

Sipas tij, fillimisht kishin marrë leje e më pas u ndërtua lokali, ndërkaq më vonë kanë ardhur nga Komuna për të anuluar këtë leje. Ai shtoi se ka kryer të gjitha pagesat dhe se kontratën e ka pasur deri në fund të vitit. Egzon Iseni thotë se rastin do ta çoj deri në fund dhe se komuna e Kumanovës të veprojë njejt ndaj të gjithve.

“Kam filluar me avokat, i kam dërguar në Komisionin e shkallës së dytë. Prej atje para dy dite e kam marr lejen se nuk kanë të drejtë se nuk kanë të drejtë të marrin masë nga Komuna pa u sjell ndonjë tjetër vendim sepse e kam dokumentacioni, me elaborat të gjitha”, tha Iseni.

Ai gjithashtu thotë se ka filluar dhe do të vazhdojë me procedurë juridike për ta zgjedhur rastin. Ndërsa ka apeluar që kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski të veprojë njejtë ndaj bizneseve, duke respektuar ligjin.

Por nga Komuna e Kumanovës për TV21 e thonë të kundërtën. Sipas tyre pronari ka qenë i informuar dhe se procedurat e ankimimit kanë përfunduar.

“Pronarit i është dorëzuar urdhër për përmbarim ku shënohet data, ora dhe mënyra se si do të kryhet përmbarimi administrativ, për të cilin ai nuk është ankuar. Si dëshmi kemi marrë kthimin me postë se i njëjti akt është marrë nga pronari. Pronari i ishte hequr leja që kishte marrë fillimisht nga Sektori i Veprimtarive Komunale, Infrastrukturës, Mbrojtjes së Mjedisit e cila ishte bazë për zbatimin e përmbarimit administrativ”, thonë nga Komuna e Kumanovës.

Nga Komuna e Kumanovës bëjnë të ditur se Vendimet për rastet për të cilat zhvillohet procedurë inspektuese do të merren në përputhje me mjetet e parapara, prioritetet e përcaktuara dhe të gjitha mjetet juridike. Nga komuna pritet vendim për të vepruar edhe ndaj lokaleve të tjera që janë në këtë lokalitet.

Më poshtë edhe kronika e TV21 për këtë rast:

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey