Kundërshtarë politikë, por ka diçka që i bashkon Lumnir Abdixhikun e Armend Mujën

Rivalë në politikë, por Lumir Abdixhiku i raporton Armend Mujës.

Kolegji Rrinvest ka bashkuar rivalët e politikës në Kosovë.

Ka rreth 25 vite që ishte themeluar Instituti Riinvest. Themelues të tij ishin personat që ishin në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ose që do t’i bashkoheshin më pas.

Isa Mustafa, pas kthimit nga ekzili, nuk ishte aktiv në jetën politike, andaj i ishte bashkuar “Riinvest”, si nënkryetar e më pas ishte bërë edhe aksionar.

Në vitin 2007, në kuadër të Institutit ishte krijuar edhe Kolegji Riinvest, që drejtohej nga personat e lidhur me LDK-në, shkruan lajmi.net.

Njëri prej kritikëve të mëdhenj të qeverisë së LDK-së, deputeti Armend Muja është emëruar vitin e kaluar Rektor në këtë Kolegj. Ai këtë pozitë e ka deklaruar në formularin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, por emri i tij gjendet dhe në ueb-faqen e kolegjit.

Shefi i ri i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, aktualisht e ka shef Mujën e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ishte emëruar rektor para se t’i bashkohej LVV-së. Abdixhiku është profesor i rregullt në Riinvest. Deri vonë ka qenë drejtor ekzekutiv i Institutit “Riinvest”. Ai i është bashkuar Institutit në vitin 2005 dhe që nga atëherë është i angazhuar në disa projekte kërkimore. Në deklarimin paraprak të pasurisë, ai kishte deklaruar që posedon 0.50 për qind të aksioneve në Kolegjin Rrinvest, ndërsa në deklarimin e fundit të pasurisë këto aksione nuk i figurojnë. Vetëm ka deklaruar se është ligjërues.

Mujën e ka shef edhe Alban Zogaj, anëtar i kryesisë së LDK-së. Zogaj punon në Riinvest nga viti 2005 dhe prej asaj kohe ka mbajtur disa pozita të larta udhëheqëse. Aktualisht është profesor i rregullt në këtë kolegj dhe Dekan për Studime Themelore.

Kolege me Abdixhikun, është edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo është ligjëruese në Kolegjin Riinvest që nga viti 2007, ka qenë edhe anëtare e Bordit në Institutin Riinvest.

Aksionarë në Kolegjin Riinvest janë 12 persona, në mesin e tyre edhe ish-ministri Lutfi Zharku.

Rektori aktual i Riinvest, Armend Muja kishte arritur të shpëtonte nga një proces i gjatë gjyqësor i cili nuk kishte përfunduar si zakonisht. Në janar të vitit 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi nga akuzat atë dhe disa bashkëpunëtorë të tij, pa ndonjë aktgjykim të formës së prerë, ku i akuzuari shpallet fajtor ose i pafajshëm. Prokurori i rastit, në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga këto pika për shkak të parashkrimit absolut (vjetërsimit) të lëndës, pasi kjo ishte arritur në bazë të Kodit Penal.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj-Musliu kishte shpallur aktgjykim refuzues për Mujën dhe disa ish-zyrtarë tjerë të Agjencisë Kosovare për Akreditim lidhur me disa pika të aktakuzës që përfshinin veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje të vazhdueshme të ryshfetit nga Muja dhe ish-zyrtarët tjerë të AKA-së për akreditimin e programeve të ndryshme të shumë prej kolegjeve vendore.

Paraprakisht, prokurori Naim Abazi në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga këto pika për shkak të parashkrimit absolut (vjetërsimi i lëndës), pasi kjo ishte arritur në bazë të Kodit Penal.

Armend Muja akuzohej se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët e kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke shkelur rëndë atë. Sipas aktakuzës, Muja dhe ish-zyrtarë tjerë të Agjencisë Kosovare për Akreditim me të cilët thuhet se kishte raporte të afërta dhe familjare takoheshin me përfaqësues të kolegjeve private duke u kërkuar atyre ryshfet për t’i akredituar.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e ngarkonte Armend Mujën dhe ish-zyrtarët tjerë të Agjencisë Kosovare për Akreditim me dyshimet për shpërdorim të pozitës zyrtare, me pretendimin se ia kishin marrë 2,500.00 euro kolegjit “Biomedica” për akreditimin e katër programeve.

Aktakuza ishte përpiluar mbi dëshmitë e disa përfaqësuesve të kolegjeve që kërkonin akreditim në agjencinë ku Muja punonte me të afërm e bashkëpunëtorë të tjerë.

Sipas aktakuzës, Basri Muja, djali i agjës së Armend Mujës i kishte thënë pronarit të kolegjit “Biomedica”, Driton Ajetit se nuk e kishte përpiluar mirë aplikimin për akreditim në vitin 2010, duke ia imponuar që ta merrte Armend Mujën si ekspert të arsimit, e të cilit, gjithnjë sipas aktakuzës, ai kishte qenë i detyruar t’ia jepte 5 mijë euro.

“Basriu i ka thënë Dritonit se nuk e ka përpiluar mirë aplikim duke i thënë që ta gjejmë një ekspert të arsimit, me ç’rast ia ka imponuar, e pastaj ka thirr në zyrën e tij Armendin, i cili është djali i axhës së Basriut, kurse Dritoni ka qenë i detyruar të pranoj diçka të tillë, për ndryshe Basriu nuk do të pranonte dokumentet në fjalë. Me këtë rast Basriu dhe Ferdije i kanë thënë Dritonit që t’ia jep Armendit 10.000,00 euro për përmirësimin e kërkesës në fjalë, pastaj në fund Dritoni ka qenë i detyruar që Armendit t’i jep 5.000,00 euro në restorantin “Korner”, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë.

Prokuroria e akuzonte Mujën se në po të njëjtin vit ia kishte kërkuar 20 mijë euro pronarit të kolegjit “Universum”, Alejtin Berishës, për akreditimin e disa programeve. Muja kishte qenë ligjërues në lëndën “Metodat hulumtuese në biznes” në këtë kolegj.

Dy vite pas përfundimit të proces gjyqësor ndaj Armend Mujës, ku ai gjykohej për vepra të korrupsionit, analisti i njohur kishte vendosur t’i futet politikës duke iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey