Kurti e quan moment historik mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbledhja e sotme mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut është historike.

Ai në konferencën për media pas përfundimit të takimit ka deklaruar se kanë arritur 11 marrëveshje të cilat janë për të mirën e jetës së dy vendeve dhe qytetarëve të tyre.

“Mbledhja e sotme midis dy qeverive tona është moment historik në bashkëpunimin midis Kosovë dhe Maqedonisë së Veriut. Këtë vit Maqedonia e Veriut ka kremtuar 30 vjetorin e pavarësisë si dhe Kosova e kremtoi 13 vjetorin e pavarësisë së saj, dhe kjo është mbledhja e parë që është mbajtur midis dy qeverive tona për ta intensifikuar dhe zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha. E falënderoj kryeministrin Zoran Zaev për pritjen e përzemërt dhe për organizimin e kësaj mbledhje të përbashkët. Më lejoni të shpreh ngushëllime të sinqerta për vdekjen e 14 personave në Spitalin modular të Tetovës. Ngushëllime edhe për familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre nga COVID-19. Në mbledhjen tonë biseduam edhe për bashkëpunimin në këtë krizë shëndetësore të shkaktuar nga koronavirusi për të dyja shtetet. Kjo mbledhje është shprehje e vullnetit për një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes dy shteteve”, ka thënë Kurti.

“Mbajtëm mbledhjen e përbashkët që është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes dy shteteve, por edhe sjellje e marrëdhënieve tona fqinjësore. Bashkërendimi i politikave dhe puna në projektet e përbashkëta që përmirëson dhe lehtëson jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit konsiderojmë se është obligim i yni shtetëror.

“Sot nënshkruajtëm 11 memorandume në fusha të ndryshme siç është diaspora, turizmi, energjia, ekonomia, bujqësia, inovacioni, ndërmarrësia, siguria, kontrolli i transportit hekurudhor, lidhja e Brezovicës me Kodrën e Diellit, rehabilitimi i zonës kufitare në Han të Elezit, bashkëpunimi ndër kufitar dhe të tjera. Ndër to është edhe një bashkëpunim ku do të formohet një komision për rrugën Prizren-Tetovë, aks tejet i rëndësishëm për të dyja shtetet që ne e kemi pas zotim zgjedhor dhe e kemi synim programor të Qeverisë sonë”.

Kurti ka treguar se para mbajtjes së mbledhjes së dy qeverive ai ka mbajtur një takim bilateral vetëm me Zoran Zaev, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, në të cilën ka thënë se biseduan për bashkëpunimin e të dyja shteteve në fushën e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey