Kurti synon të fitojë ¾ e komunave, por pa balotazh

Kurti: Synojmë të fitojmë ¾ e komunave, mundësisht pa balotazh.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur lidhur me zgjedhjet lokale në vend duke thënë se është detyrë e të gjithëve që në këto zgjedhje të punohet sa më pranë me qytetarin për të fituar mundësisht pa balotazh.

“Gjasat i kemi të mëdha thuajse në të gjitha komunat. Duhet t’ia mësyjmë e ti fitojmë 3/4 e komunave, qytetarët duhet ta përjetojnë qeverisjen e mirë që sjell rregull e zhvillim urban, që sjell punësime e investim sidomos në nivel lokal. Por për këtë na duhet punë dhe angazhim i madh.

Zgjedhjet lokale që patëm në Podujevë na dhanë sinjalin e parë, ku fituam pa balotazh. Por punuam shumë dhe e patëm kandidatin e përshtatshëm dhe të mirë. Njësoj duhet të punojmë e veprojmë edhe tani.Në këto zgjedhje lokale jo vetëm që jemi të gatshëm por edhe synojmë që të bashkëpunojmë më Listën Guxo si në zgjedhjet parlamentare më 14 shkurt. Kemi dëshmuar seriozitet me punë e aktivizëm të përbashkët. Një model suksesi që e kemi për detyrë ta kultivojmë tutje”, tha Kurti.

Ai tutje kërkoi nga qytetarët që të kontaktojnë e komunikojnë, të takohen e bashkohen në teren anembanë Kosovës.

Ai tutje shtoi se është e rëndësishme që nëpër qendrat e VV-së, të shmangen rivalitetet e brendshme që lidhen me figura .

““Aktivisti i Lëvizjes nuk duhet të jetë i lidhur me individin, por me idenë dhe programin. Aktivisti nuk duhet të kërkojë miqësinë me kryetarin, por miqësinë me qytetarin. Asnjë prej kryetarëve nuk ka për të qeverisur vetëm me miqtë e vet, e asnjë grup shoqëror nuk do të marrë në kontroll asnjë qendër apo asnjë komunë. Prandaj fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet apo vetëkandidimet, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes. Mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi apo një takim diku.Pushteti nuk duhet të na ndryshojë, por për të mos rënë pre e ndryshimit, duhet t´ia kujtojmë vetes vazhdimisht idealet tona, dhe sakrificat e dëshmorëve. Ne duhet të jemi vazhdimisht syhapur, dhe të sinjalizojmë parregullsitë në raport me qeverisjen dhe administratën, siç janë edhe qytetarët në vendet e zhvilluara evropiane e perëndimore. Vetëm ashtu do të mund ta zhvillojmë e fuqizojmë vendin tonë.”, shtoi Kurti.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey