Kurtit i bëhet e qartë nga NATO: Letërkëmbimi Thaçi-Rasmussen është Marrëveshje, FSK-ja s’mund të lëvizë në veri pa lejen e KFOR-it

NATO ia bën të qartë Kurtit: Letërkëmbimi Thaçi-Rasmussen është Marrëveshje, FSK-ja s’mund të lëvizë në veri pa lejen e KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje në Kuvendin e Kosovës e ka quajtur të dëmshëm letërkëmbimin në mes të ish-kryeministrit, Hashim Thaçi dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, lidhur me operimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të territorit të Republikës.

Kurti ka thënë se një marrëveshje të tillë të Qeverisë së Kosovës me NATO-n që mban firmën e Hashim Thaçit e ka dërguar në Prokurori dhe se të njëjtën do ta ndryshojë, meqë e cilëson të dëmshme.

“Marrëveshja në fjalë, që ka qenë shkëmbim i letrave, ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Republikës së Kosovës, dhe unë vazhdoj të qëndroj prapa asaj që kam deklaruar në vitin 2020. Unë s’kam akuzuar sekretarin e NATO-s për atë shkëmbim të letrave, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Kosovës që e ka vendosur firmën në një shkresë të tillë. Një problematikë që i ka rrënjët 8 vjet më parë, nuk mund të rregullohet me vetëm një takim. Atëherë e kam referuar çështjen në Prokurori dhe tash çështja i mbetet prokurorisë në trajtim. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-s do të vijnë duke u thelluar, mos u brengosni”, ka thënë Kurti dje në Kuvend.

Megjithatë pavarësisht një deklarate të tillë të Kurtit, nga NATO-ja bëjnë me dije se Ushtria e Kosovës nuk mund të shkojë në veri të Kosovës pa miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it në Kosovë, meqë letërkembimin në mes të Thaçit dhe Rasmussenit e konsiderojnë marrëveshje.

Kështu i ka thënë Gazetës Express një zyrtar nga selia qendrore e NATO-s në Bruksel.

“Sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, FSK-ja nuk mund të lëvizë në pjesën veriore të Kosovës pa miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s për Gazetën Express.

“Për NATO-n, ‘marrëveshja e Brukselit 2013’ është shkëmbimi i letrave midis ish- Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Andreas Fogh Rasmussen dhe z. Hashim Thaçi”, ka sqaruar tutje ky zyrtar.

Gjithashtu i njejti rikujtuar takimin e fundit në mes të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Gjatë vizitës së fundit të Z. Kurti, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg theksoi se angazhimi i NATO-s për stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. Ai përsëriti se misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR-i, është i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, domethënë për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet tutje në përgjigje.

Në fund, ky zyrtar i NATO-s ka potencuar se Stoltenberg e ka bërë të qartë mbështetjen për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe se dialogu është mënyrë e vetme për të gjetur një zgjidhje politike.

“ Z. Stoltenberg theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për përpjekjet për të rigjeneruar bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës – përfshirë përmes procesit të lehtësuar nga BE – dhe theksoi se dialogu mbetet mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar ky zyrtar për Gazetën Express.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për herë të parë lidhur me zotimin e Hashim Thaçit për NATO-n kishte folur në shkurtin e vitit 2020. Kurti atë kohë e kishte paraqitur një letër të tillë si një marrëveshje sekrete në mes të ish-kryeministrit Thaçi dhe NATO-s.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey