Kusari-Lila tregon pse u nxitua për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje

Ajo thotë se erdhi pasi vendi mund të shkonte në zgjedhje të reja

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nisma për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet erdhi nga deputetët e këtij subjekti politik, duke e parë situatën se vendi mund të shkonte shpejt në zgjedhje të reja.

Sipas saj, ky ndryshim ishte një prej premtimeve gjatë fushatës.

Kusari-Lila në një intervistë në KTV, tha se akuzat dhe retorika e përdorur nga opozita nuk kishin të bënin asgjë me realitetin.

“Në rrethanat në të cilat u vlerësua se shanset janë reale që vendi të shkojë në zgjedhje, dhe në rrethanat që edhe në zgjedhjet që sapo u përmbyllen, u pa si një prej defekteve kryesore mohimi i të drejtës së diasporës të marrë pjesë për aq sa ka shpreh vullnetin dhe sa është regjistruar në procesin zgjedhor, kjo dukej si e pashmangshme, si një nismë ligjore në kuadër të grupit parlamentar”, ka thënë ajo.

Sipas Kusarit-Lila, edhe brenda grupit të VV-së ka pasur mendime të ndryshme, që ndoshta nuk duhet të procedohet në këtë kohë.

“Por për asnjë moment nuk janë ndalur përpjekjet se do të kemi një proces të suksesshëm të zgjedhjes së presidentes. Në kuadër të asaj se si është përceptuar pastaj, dhe si është interpretuar nga partitë e opozitës, atëherë është rënduar në një mënyrë retorika se ne kemi provuar të bëjmë puç, të shkatërrojmë rendin kushtetues, që është shantazh publik. Unë me përgjegjësi të plotë mund të them se asnjë nga të tri këto nuk qëndrojnë.”

“Nuk ishte puç, por nismë ligjore që i ka ndjekur të gjitha rrugët dhe si i tillë u rrëzua në kuvend. D.m.th. u pa që ne nuk kemi shkuar jashtë sistemit, ishin brenda, nuk kemi synuar të rrëzojmë rendin kushtetues e demokratik, sepse e nisëm me nënshkrime siç është e paraparë, e përcollëm në komisionet funksionale, pastaj në qeveri për opinion dhe vlerësim siç parashihet dhe pritëm që ai të kthehet e të trajtohet në procedurë të përshpejtuar”, ka thënë Kusari-Lila.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey