Kush është Bekim Pocesta, kandidati për Dibrën nga radhët e ASH-së?

Aleanca për Shqiptarët tashmë ka caktuar kandidatin e saj që do të garoj në zgjedhjet lokale në Dibër. Bëhet fjalë për specialistin e njohur të kardiologjisë, Dr. Bekim Pocesta.

Kush është Bekim Pocesta?

Bekim Pocesta ka lindur në Dibër më 28.04.1968, shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, të mesmen e filloi në Dibër dhe e mbaroi në Kumanovë. Fakultetin e Mjeksisë e mbaroi në “Universitetin e Prishtinës”, ndërsa Specializimin për Kardiologji e kreu në Universitetin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Që nga fillimi i studimeve nga vitet 1988/89 ishte i angazhuar në mënyrë aktive në të gjitha lëvizjet dhe protestat studentore që zhvilloheshin aso kohe në Prishtinë. Protestat pasuan me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës në vitin 1990 kur Bekimi bashkë me shokët ju prinin demostratave të studentëve, pastaj iu bashkuan Unionit të Pavarur të Studentëve, të cilët kishin rol aktiv që t’i mbajnë hapur dyert e Universitetit me moton “Mos e lëshoni Universitetin”, i cili në atë kohë u mbull nga regjimi i Millosheviqit.

Ishte njëri ndër themeluesit e parë të “Bashkimit të Rinisë Demokratike të Maqedonisë”. Ishte kjo një periudhë me shumë aktivitete, protesta dhe demonstrata në Kosovë e Maqedoni në të cilat Bekimi gjithnë ishte aktiv. Si pasojë e këtyre aktiviteteve në vitin 1992 u dënua me dy javë burg të cilin e vuajti në Strugë-qershor të vitit 1992.

Ka qenë i angazhuar si mjek specializant gjatë krizës të Luftës së Kosovës në Kukës dhe në Tropojë, përcjell INA.

Dr. Bekimi njihet si mbështetës dhe si aktivist i nismave të ndryshme kulturore dhe qytetare duke përmendur faktin se ai është një ndër themeluesit e Festivalit të Teatrit Shqiptar në Maqedoni-Dibër.

Dr. Bekimi ka qenë Drejtori i parë shqiptar në Klinikën e Kardiologjisë në Shkup. Detyrë të cilën e kreu me ndershmëri dhe përkushtim. Njëzet vitet e fundit ai punon në Klinikën Universitare të Kardiologjisë në Shkup.

Në Dibër thonë se Dr. Bekimi për shëndetin e dibranëve është bekim, sepse në çdo moment ka qenë i gatshëm për ndihmë, i ka ndihmuar të gjithë pa dallim të përkatësisë etnike, fetare apo race. Të gjithë e njohin dhe e vlerësojnë për zotësinë profesionale, modestinë dhe sinqeritetin e tij. (INA)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey