Kush i ka fajet për mungesën e insulinës?

Furnizimi me insulinë peng i burokracive, MSH synon zgjidhje alternative gjatë korrikut.

Ka disa muaj që kosovarët e sëmurë me diabet po hasin në vështirësi të mëdha në gjetjen e insulinës. Megjithatë nga Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga Arben Vitia po thonë se do të gjejnë zgjidhje alternative brenda këtij muaji, derisa çështja e tenderit për furnizim të marr epilog në OSHP.

Tashmë më shumë se dy muaj, institucionet publike shëndetësore në vend po ballafaqohen me mungesë të insulinave.

Në mungesë të tyre, po rrezikohet edhe shëndeti i pacientëve me diabet, të cilët e kanë të domosdoshme marrjen e tyre.

Megjithëse kjo çështje po ngritet tashmë me muaj, nuk është parë një zgjidhje për sigurimin e insulinave për pacientët me diabet, të cilët tashmë një kohë, vështirësi po kanë që ato t’i gjejnë edhe në barnatoret private.

Se kanë mungesë të insulinave edhe më tej, e kanë pohuar nga Qendrat e Mjekësisë Familjare e barnatoret private në vend.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri ka thënë për Express se ende janë duke pritur nga Ministria e Shëndetësisë që pasi të furnizohet me insulina, t’i furnizoj edhe ato.

Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë po premtojnë që gjatë këtij muaji, insulinat do të jenë në dispozicion të pacientëve.

Nga kjo ministri kanë thënë për Express se përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS) janë duke bërë sigurimin e insulinave që do të jenë në dispozicion të pacientëve, derisa të marr epilog çështja e tenderit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Për të gjetur një zgjidhje dhe me qëllim të sigurimit më të shpejtë të insulinave humane derisa çështja në OSHP të marr epilogun e saj, MSh përmes UNOPS-it është duke bërë sigurimin e insulinave që gjatë këtij muaji do të jenë në dispozicion të pacientëve insulinë-vartës”, është thënë nga zyra për informim në MSH.

Nga kjo ministri kanë treguar arsyet e vonesës së gjetjes së një zgjidhje për furnizimin me insulina.

“Tenderi për insulina humane në të cilin ishte shpallur fituesi para muajit maj, pas një ankese të një operatori ekonomik nga OSHP ishte kërkuar të kthehet në ri-vlerësim. Deri para datës 12 maj MSh për shkak të këtyre procedurave, nuk ka pasur të drejtë të shpall tender tjetër për të njëjtin qëllim. Deri në maj institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor kanë qenë duke u furnizuar vetëm me insulinë analoge, por të cilën realisht institucionet e përdorin më pak, krahasuar me insulinat humane”, kanë shtuar zyrtarët për informim.

Ndërsa, Milaim Abdullahu, përfaqësues i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës ka treguar se edhe në barnatoret private kohë pas kohe ka mungesë të insulinave, derisa është shprehur se ka interesim të qytetarëve për të blerë insulina.

Abdullahu ka thënë se personat me diabet nuk guxojnë të mbesin pa insulinë.

Sa i përket mosfurnizimit të institucioneve shëndetësore me to, ai ka thënë se për shkak se Organi Shqyrtues i Prokurimit(OSHP) është pa bord, kjo çështje ka mbetur e pa zgjidhur.

“Për momentin kanë aplikuar dy kompani, njëra e ka të regjistruar në Kosovë njëra nuk e ka të regjistruar. Ajo që nuk e ka të regjistruar ka dal më e lirë, me rregulla të prokurimit çmimi më i lirë fiton. Lënda ka shkuar në OSHP. OSHP’ja nuk ka bord. Derisa nuk vendoset bordi ajo lëndë mbetet te ta. Tani varet nga qeveria sa mund ta caktoj bordin e ri”, ka thënë ai.

Abdullahu ka përmendur si mundësi për një zgjidhje më të shpejt me furnizim, shfrytëzimin e 10 mijë eurove nga zyrat e prokurimit.

“Tani e vetmja mundësi është që zyrat e prokurimit me një buxhet deri në 10 mijë euro me nis procedurë të shpejtë për furnizim. Ato vinë në sasi të vogla, mirëpo me ato mund ta mbulojmë këtë vakum derisa nuk caktohet bordi i OSHP’së”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që me mungesë të insulinave qytetarët janë ballafaquar edhe gjatë viteve të kaluara.

Në mungesë të tyre, ata shumë herë është dashur t’i drejtohen barnatoreve private.

Ndërsa, insulinat vlerësohen shumë të rëndësishme për personat me diabet, e cila bënë rregullimin e metabolizmit të karbohidrateve.

Ajo e rrit metabolizmin e sheqernave, deponimin e glikogjenit, sintezën e proteinave e sintezën e yndyrnave.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey