Kuvendi sot fillon debatin për propozimin francez, në Shkup sot presidentja e KE-së

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të shqyrtojë propozimin francez për heqjen e vetos bullgare për negociatat me BE-në. Në faqen e Kuvendit bëhet e ditur se në orën 13:00 është caktuar seanca e 80-të plenare, të cilës do t’i drejtohet kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përcjell INA.

Më pas është caktuar një seancë e re për gjysmë ore, në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është “Informacion për përmbajtjen e draft kornizës negociuese për negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, e propozuar më 30 qershor nga presidenca franceze e Këshilli i Bashkimit Evropian”.

Qeveria e Dimitar Kovaçevskit, me kërkesë të opozitës, i ka dorëzuar Kuvendit një shtojcë të Informatës për përmbajtjen e kornizës propozim-negociuese, e cila të enjten, më 7 korrik, i është përcjellë Kuvendit për “shqyrtim dhe miratim shtesë”.

I ashtuquajturi propozim francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave për anëtarësim, pas të cilit qëndron e gjithë BE-ja, në Maqedoninë e Veriut hasi në rezistencë nga opozita maqedonase, një pjesë e qytetarëve, publikut akademik dhe organizatave joqeveritare.

Në Shkup që nga 2 korriku, qytetarët kanë protestuar pothuajse çdo ditë kundër propozimit, dhe ato protesta janë përkrahur nga koalicioni rreth VMRO DPMNE i Hristijan Mickoskit dhe partia “E Majta” e Dimitar Apasievit, duke kërkuar që propozimi të refuzohet, sepse, siç vlerësojnë ata, ai çon në bullgarizimin e vendit. Deri më tani, propozimi është i pranueshëm vetëm për koalicionin qeveritar të LSDM dhe BDI Ali, partitë parlamentare shqiptare dhe presidentin e vendit, Stevo Pendarovski.

Fillimi i negociatave të BE-së me Shkupin është bllokuar nga vetoja e Bullgarisë që nga nëntori 2020 për një mosmarrëveshje mbi gjuhën dhe historinë, dhe Brukseli e ka lidhur përparimin e Tiranës në rrugën e BE-së me atë të Maqedonisë së Veriut. Një vit më parë, rruga evropiane e këtyre dy vendeve u bllokua nga Franca, duke insistuar në ndryshimin e metodologjisë së negociatave.(INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey