Laporta i bën të ëndërrojnë tifozët e Barcelonës

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka paralajmëruar se Lionel Messi mund të rikthehet në “Camp Nou”.

Ylli argjentinas e bëri një largim emocionues nga gjiganti katalunas verën e kaluar pasi Barcelona s’ishte në gjendje t’ia vazhdonte kontratën.

35 vjeçari kishte nënshkruar me Paris Saint-Germainin për dy vjet, pra atij i ka mbetur edhe një vit kontratë, shkruan “Gazeta Express”.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë ishte larguar me lot në sy nga klubi i tij izemrës pasi i skadoi kontrata.

Mirëpo, duket se kjo nuk ishte një lamtumirë, por një mirupafshim.

Kreu i klubit në fakt është duke u përgatitur për një ëndërr që mund të bëhet realitet.

“Unë nuk besoj se apoka e Messit në Barcelonë ka marrë fund. Besoj se përgjegjësi e jona është që ta bëjmë të qartë se ky rrugëtim është ende i hapur, ai nuk është mbyllur. Mendoj se ai mund ta ketë një përfundim më të shkëlqyeshëm se që e kishte. Nëse më pyesni nëse i detyrohem atij dhe nëse ndihem borxhli ndaj tij, përgjigja është ‘po’”, ka thënë Laporta në një intervistë për “ESPN”.

“Moralisht, si president i Barcelonës, mendoj se e kam bërë atë që nevojitej ta bëja. Por, përsëri si president i Barcelonës dhe personalisht, mendoj se i detyrohem atij”, përfundoi kreu i klubit katalunas, shkruan “Gazeta Express”.

Barça ishte mjaft aktive në këtë afat kalimtar, por tifozët duhet ta presin vetëm verën tjetër për ta parë sërish, me gjasë, Messin duke luajtur në Barcelonë.

Këtë e ka kërkuar edhe trajneri Xavi Hernandez, i cili beson se me Leon ekipi i tij do të ngritet dhe do ta ketë një dimension tjetër.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey