Letër drejtuar popullit maqedonas verior

Nga Fitim Nuhiu

Qëkur është formuar shteti i Maqedonisë, populli maqedonas ka qenë i vetëm në krye të funksioneve dhe institucioneve publike shtetërore pa mos respektuar popujt tjerë – ‘minoritar’, sidomos atë shqiptar, si popull me shumicë shtetformuese, apo i kanë
vendosur si kukulla që s’kanë pasur pikën e rëndësisë, kjo ngaqë kemi pasur gjithnjë përfaqësues të dobët, joprofesional, inferior karshi tyre apo sepse ashtu kanë vendosur qarqet maqedonase të na trajtojnë qysh në fillim dhe të na mbyllin gojët për të drejtat
tona elementare qytetare, që deshëm ne ose jo është dashur të na garantohen nga shteti, kanë pasur obligim ligjor dhe kushtetues, nëse do të kishte qenë një shtet normal, por ja që ka zgjedhur qysh në fillet e saj të ngritet mbi themele të padrejta, diskriminuese, autoselektive karshi popujve të tjerë.

Ne jemi njëshi, të tjerët janë zerot që na ndihmojnë të formojnë shtetin tonë – kjo ka qenë motoja e tyre, por që tashmë, fatmirësisht, rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Populli shqiptar kur filloi të arsimohet siç duhej, gjë që iu kishte mohuar me dekada e dekada të tëra, filluan të ngrisin kryet dhe të kuptojnë se diçka që të takon si qytetar (gjëra elementare) askush s’mund ta merr e ta mohojë, qoftë ai edhe shtet i organizuar dhe si pasojë filluan të ‘rebelohen’ (pasivisht) dhe të kuptojnë se në jetë lind dhe jeton pa borxhe ndaj ndonjë kombësie tjetër, pavarësisht kush mund të jetë dhe filluan të mendojnë që të marrin frymë lirshëm, por sa ia kanë arritur edhe të veprojnë në këtë frymë, akoma lënë për të dëshiruar, por sidoqoftë, e mira e kësaj çështje është që e kanë kuptuar se kështu nuk jetohet, nëse kanë zgjedhur të jetojnë dinjitetshëm dhe dalëngadalë trajektorja
ka filluar të marrë përpjetën, sidomos kohët e fundit.

Pas konfliktit të 2001, maqedonasit kuptuan një gjë, që shteti nuk është vetëm i tyre, por që duhet ndarë me dikë tjetër dhe bënë si bënë, pranuan (edhepse pa vullnetin e tyre) disa marrëveshje ndërkombëtare, që duhej respektuar komunitetet tjera, sidomos atë shqiptare që janë një numër i konsiderueshëm shtetformues, për të mos thënë gjysma e popullsisë, e them këtë sepse s’kemi regjistrim popullsie valide tash e sa kohë. Marrëveshjet i bënë sa për syefaqe karshi faktorit ndërkombëtar, sepse përsëri vazhduan avazin e vjetër shovinist kundrejt shqiptarëve, kjo, falë edhe inferioritetit të përfaqësuesve shqiptarë qofshin ata në pozitë ose jo. Me këtë letër dua t’i drejtohem maqedonasve, si bashkëqytetar, që ne si shqiptarë, pavarësisht se çfarë na kanë bërë, akoma po kemi durimin mirëkuptues që ata të reflektojnë në politikat e tyre destruktive dhe aspak vizionare si për shtetin ashtu
edhe për kombësinë e tyre, që urgjentisht të ndryshojnë qasjen e tyre karshi shqiptarëve, kjo do i bëjë nderë së pari atyre, që mos të provokojnë akoma shqiptarët me projekte të ndryshme çnjerëzore, të tilla kanë me bollëk, po i marr vetëm të fundit:
– skandalet me librat shkollorë;
– shtetësitë e mohuara të shqiptarëve;
– regjistrimi- shtyerja – ç’regjistrimi.

Mjaftojnë këto vetëm që të konstatojmë se sistemi shovinist akoma mbijeton madje lirisht mund të themi lulëzon në mendësinë e tyre, jo vetëm tek populli, por edhe tek elita politike, intelektuale maqedonase. Edhe njëherë po e potencoj që e kanë të domosdoshme (pavarësisht duan apo jo, edhepse kam dyshimet e mia) që të hapin dyert drejt ribërjes siç duhej të institucioneve shtetërore, të na respektojnë siç ne i respektojmë, të na shohin me syrin bashkëpunues dhe jo të perceptojnë veten superior karshi nesh, të ndryshojnë qasjen politike, qysh kanë vepruar dhe po veprojnë akoma, që emrin shqiptar, ta shohin si
një vlerë që mban në këmbë shtetin, por edhe kombësinë e tyre po deshe, që mos të na shohin si të huaj në vendin tonë, në mënyrë që të mos të përsëriten gabimet nga konfliktet etnike, që të lënë hapësirë që në të ardhmen e afërt t’i respektojmë edhe ne ata, kur do ndryshojnë kohërat për të mirën e shqiptarëve, padyshim. Të mbjellin gjëra të mira sot, të mendojnë për të nesërmen, që pasardhësit e tyre të mos ia shajnë varret e tyre nga ndonjë bumerang i tillë, siç janë duke operuar politikisht dhe ideologjikisht ata sot me ne, që të çlirohen nga mendësia primitive etnocentrike, që të hapen edhe me dikë që është ndryshe – pra me tjetrin, që fundi fundit kjo është civilizimi që pretendojnë se janë, europian e perëndimor pra. Kjo është për të mirën e tyre, fillimisht, pastaj edhe për të mirën e përgjithshme, që të jetojmë si të ndryshëm brenda një shteti të përbashkët e multikulturor.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey