Lindita Nikolla zgjedhet kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

Deputetja dhe ish-ministrja e arsimit, Lindita Nikolla është zgjedhur sot kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Në votim morën pjesë 137 deputetë, nuk morën pjesë 3 deputetë. Nikolla u zgjodhe kryetare me 79 vota pro dhe 4 kundër.

Në seancën e dytë plenarë të zhvilluar në orën 17:00 u bë votimi për kryetare Kuvendi. Mazhoranca ka propozuar emrin e Lindita Nikollës për kryetare të Kuvendit. Propozimi mbante firmën e kryeministrit Edi Rama dhe 16 deputeteve gra nga radhët e socialistëve.

Anëtari më i vjetër në moshë ishte kryetar i komisionit të votimit i cili shpalli dhe rezultatin. Komisioni i votimit përbëhej nga 5 anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita. Nga mazhoranca u depozituan emrat e deputetëve Fadil Nasufi , kryetar, Klevis Xhoxhi anëtar dhe Shpresa Marnoj anëtare. Nga opozita Greta Bardeli dhe Belind Këlliçi, anëtarë.

Në fjalën e saj, Nikolla teksa ka falënderuar të gjithë ata që e votuan, siguroi të gjithë kolegët opozitarë se do të jetë në krahun e tyre sa herë që e kërkon ligji dhe ushtrimi i detyrës.

Nikolla shtoi se kjo legjislaturë që ka nisur do të jetë legjislatura e avancimit drejtë familjes europiane dhe theksoi se do të mbështesë Këshillin Kombëtar të Integrimit për të përmbushur me sukses detyrat e tyre.

“Jam e bindur se nëse mbjellim sadopak klimë pozitive ajo shtohet kur shpërndahet te qytetarët. Opozita do ketë hapësira të plota për të kontribuuar në qeverisje. Kolegë opozitarë nëse do ndjeheni të penguar në ushtrimin e detyrës do jem në krahun tuaj sa herë ta kërkojë e drejta dhe ligji.

Kjo do të jetë legjislatura e avancimit drejtë familjes europiane. Unë do të mbështes Këshillin Kombëtar të Integrimit për të përmbushur me sukses detyrat e tyre, do loboj me bindjen që Ballkani Perëndimor të konsiderohet një vlerë e shtuar e familjes europiane.

Në luftën që ende vazhdon ndaj covid, Kuvendi do mbikëqyrë të gjitha përpjekjet e qeverisë për ruajtjen e shëndetit të njerëzve dhe në të njëjtën kohë përsëris thirrjen për vaksinim si një mënyrë për mbrojtjen e shëndetit të çdokujt”, theksoi kryeparlamentarja Nikolla. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey