Lindje-Perëndim: Copëza mrekullish, histori të rralla mbijetese nën gërmadha!

Sharing is caring!

Tërmeti i magnitudës 6.4 që goditi Shqipërinë pa gdhirë 26 nëntori, ishte më i fuqishmi prej dekadash. Shumë njerëz as që e mbanin mend kur ka qenë hera e fundit që toka qe shkundur kaq dhunshëm; të tjerë nuk e kishin përjetuar kurrë.

Ato lëkundje ishin apogjeu i një serie goditjesh të mëhershme në vite e të instensifikuara së fundi, që profetizonin duket një gjëmë më të madhe, përmasat e së cilës, do të bëheshin të qarta vetëm kur nisën të mbërrinin lajme tragjike jetësh të humbura. Pamjet filmike u shndërruan në dëshminë e egërsisë së natyrës, kur do që të bëhet e tillë, dhe e pafuqisë njerëzore për ta ndalur.

Prej kohësh, Shqipëria ishte kursyer në masë të madhe nga tërmete të një force të tillë, dhe me një kosto kaq të lartë njerëzore. Bilanci i vdekjeve rëndohej ora-orës pa mëshirë, duke sjellë në mesin tonë një tragjedi që deri vonë na ngjante e largët, a thua se s`do të mbërrinte kurrë këtu tek ne. Por erdhi. Psikologjia e frikës hodhi rrënjë shpejt. Paniku përfshiu njerëzit e pamësuar me situata të tilla. “ Tërmeti nuk ka ndaluar në Durrës. Zoti i ndihmoftë njerëzit dhe ata që po punojnë në ndërtesat e dëmtuara. Një tjetër sapo ra tani”, shkruante në rrjetet sociale një juriste në qytetin bregdetar, Donika Gjeci. Sipas Institutit Gjeologjik Amerikan, USGS, tërmeti që goditi në katër të mëngjesit, kur shumica e njerëzvë ishte në gjumë, e kishte epiqendrën 10 km në veriperëndim të Shijakut, e po 10 km, ishte dhe thellësia e tij në tokë.

“Ato që e bëjnë tërmetin vdekjeprurës janë praktikisht ndërtesat të cilat bien mbi njerëzit. Një tërmet i kësaj magnitude, padyshim që mund të shkaktojë dëme të mëdha. Dhe ky rajon duket veçanërisht i goditur në ato struktura që janë të cënueshme nga lëkundjet e tërmetit “, sic janë godinat prej betoni të armuar apo ato me tulla, të paktën bazuar nga imazhet që vijnë prej andej”, shprehet Paul Earle, USGS për Euronews Tonight.

Historitë tronditëse të kësaj fatkeqësie të pllakosur mbi shqiptarët, nuk ishin të pakta. Nuk kishte sesi të mos këputej shpirti nga drama e Diena Meçaj Karanxhajt, 30 vjeçarja që adhuronte pikturën, e që rezistoi për 16 orë nën gërmadhat që i morën jetën së bijës 8 vjeçe. Gëzimi i nxjerrjes së saj gjallë, pas përpjekjeve të mëdha të forcave Renea, nuk zgjati shumë: stafeta iu dorëzua bluzave të bardha, por në fund, Diena nuk e fitoi dot betejën me vdekjen. 30-vjeçarja, që pak vite më parë kishte humbur të shoqin, iu bashkua kështu përjetësisht familjes së saj.

Mbi 15 orë rezistoi Klement Cupi përpara se të mbyllte sytë përjetë. Shpresat ishin të mëdha se do të nxirrej gjalla prej rrënojave në Thumanë; e kishin mbajtur me oksigjen, e kishte kërkuar edhe cigare. Por edhe pse u duk se dëshira e tij për jetën mund të triumfonte mbi atë copën e mallkuar të betonit që i kishte zënë gjymtyrët, nuk ndodhi. Nuk qe e thënë.

Por pati dhe lajme të mira, gjatë saj dite gjemë-zezë që zor të harrohet më: me dhjetëra vetë u arrit të nxirreshin të gjallë nga gërmadhat. Beteja e punonjësve të shpëtimit dhe vullnetarëve për të shpëtuar sa më shumë jetë, pati mjaft momente triumfi, sic ishte ai I të riut nga Durrësi, Klajdi Qato, të bllokuar prej 25 orësh. Fati i tij, sic u tha, ishte një dyshek që I kishte rënë sipër gjatë lëkundjeve, e që u shndërrua praktikisht në një mburojë për të, duke u provuar një ndihmë e vyer dhe për skuadrat e emergjencës, që arritën t`a shohin mundimin e tyre të shpërblehej në mënyrën më të mirë të mundshme. Me emocion të thellë u përjetua nga shqiptarët dhe shpëtimi I djalit të mitur në Thumanë, një histori e rrallë dashurie dhe vetëmohimi. Vogëlushi është gjallë sot për shkak se gjyshja, në momentin e lëkundjeve, u hodh mbi të duke e mbrojtur me trupin e saj. Ajo nuk vetë nuk ia doli dot, por me gjestin e saj u shndërrua në një simbol të sakrificës.

Rrëfenja të tilla mbijetese ka shumë në historinë e tërmeteve nëpër botë. Janë momente të rralla që lëshojnë rreze shprese në ditët e errëta të një kombi të shkatërruar nga fatkeqësi të kësaj natyre. I tillë është ai i “foshnjeve të mrekullisë”, siç i njeh e gjithë bota. Bëhet fjalë për më shumë se një duzinë të porsalindurish në Meksiko City, të cilët u nxorën të gjallë nga rrënojat pas tërmetit shkatërrimtar të 1985-sës. Lëkundjet e tokës asokohe shkaktuan më shumë se 10 mijë të vdekur; kush mendonte se disa foshnje do të gjendeshin gjallë pas ditësh të tëra të mbuluar nga pirgje të tëra inertesh. Qe një zbulim befasues, që I dha shpresë një kombi thellësisht të shokuar.

Sot “ninos del sismo,” apo “fëmijët e tërmetit“ janë rritur; ata nuk përfaqësojnë vetëm shpresën, por edhe dëshminë e gjallë se ndërsa plagët e tragjedisë do t`i shënjonin përgjithmonë, jeta për njerëzit e Mexico City-t, nuk do të vononte që të ndiqte rrjedhën e saj dhe ata do t`I bashkoheshin në heshtje.

“Po flitet për foshnje, si mund të mbijetojë një I porsalindur në kushte të tilla ashtu sic ndodhi me ne? ishte një mrekulli, nuk ka shpjegim tjetër”, thotë Victor Hugo Hernandez, i mbijetuar.

Disa prej bebeve mbetën me probleme fizike përgjatë gjithë jetës, të tjerë dolën nga tërmeti I tmerrshëm pa asnjë gërvishtje. Shumicës, nënat iu vranë nga muret e kolonat që shembeshin mbi to; për këtë kategori, do të kujdeseshin tezet, hallat, ungjit e gjyshërit.

Tërmeti i magnitudës 8,1 e goditi Mexico City-në 19 shtatorin e vitit 1985; një ditë më vonë, ai u pasua nga një paslëkundje që në fakt, ishte një tërmet I fuqishëm më vete, me një madhësi 7.5 në shkallën Rihter. Ishte katastrofa më e madhe natyrore prej dekadash të tëra në qytetin me dendësi më të madhe popullsi në atë hemisferë. Tërmeti I parë shkundi nga themelet në orën 7 e 17 të mëngjesit spitalin Juarez Hospital dhe atë të përgjithshëm, General Hospital — dy maternitetet kryesore të qytetit që përdoreshin më së shumti nga banorë të varfër të tij dhe ata të shtresës së mesme. Numri I ndërtesave që u shembën në total atëherë, ishtë 400. Me qindra vetë humbën jetën, përfshirë këtu mjekë, infermiere, sanitarë e paciente, nëna dhe fëmijë të porsalindur. Ekipe shpëtimi nga Franca, Shtetet e Bashkuara e vende të tjera të globit I shkuan në ndihmë punonjësve vendas të emergjencës e vullnetarëve; për ditë të tëra, u gërmua deri edhe me duar në kërkimin e dëshpëruar për njerëz ende të gjallë nën gërmadha. Spitali I fëmijëve, ngjitur me General Hospital, arriti për një arsye të pazbardhur deri më tani, t`I shpëtonte dëmeve të mëdha strukturore. 16 foshnje u nxorën gjallë prej aty, 14 nga të cilët arritën të mbijetojnë. Viktimat e para u shpëtuan brenda disa orësh. Çudia ishte me atë që erdhi më pas; shtatë deri në tetë ditë pas tërmetit apokaliptik, nga rrënonjat nxirreshin ende foshnje që jetonin.

“Ishte e pabesueshme ajo që po ndodhte. Këta fëmijë e merituan të quhen “një mrekulli“. Për ata u kujdes spitali; ai praktikisht I adoptoi. Në vitet e para, u siguroi kujdes mjekësor dhe dentar falas, ; ndihma pati edhe nga qeveria që pagoi edhe për operacione të shumta të brendshme dhe rindërtuese për foshnjat. Me paratë e dhuruara nga individë dhe grupe në Meksikë dhe Europë, autoritetet spitalore krijuan një fond besimi, të ardhurat e të cilit shkuan për ilaçe dhe shpenzime arsimi”, tha Jose Alberto Garcia Aranda, drejtor i Spitalit për Fëmijë.

Jeta për ta nuk qe e lehtë, e as për shumë prej njerëzve që I ndihmuan. Tezja e Claudia Rios sakrifikoi shumë për mbesën e saj, që ishte prej këtyre fëmijeve të mrekullisë.

“Nuk u martova kurrë. Ia kushtova asaj gjithë jetën. Ajo më mjafton, nuk kam pasur asnjëherë nevojë për dicka tjetër. Nuk kemi para që t`ia linim trashëgimi, por bëmë më të mirën që mundëm, e ndihmuam të arsimohej”, tha Hortensia Juarez.

Hortensia Hernandez ishte dukë I dhënë gji vajzës, kur ra tërmeti. Punonjësit e ndihmës I gjetën pas katër ditësh në gërmadha; foshnjes iu vu emri Milagros Guadalupe, Milagros që do të thotë mrekulli dhe Guadalupe, nga emri i shënjtores që mbron Meksikën. Nën rrënoja nuk lëvizte dot; e vetmja gjë që Hortensia mundi të bënte për të bijën ishte t`I kalonte pështymën e vet sa për ta hidratuar, dhe të lutej papushim që foshnja të shpëtonte. Dhe ashtu ndodhi vërtet; përveç nja dy gërvishtjeve e ndonjë mavijosjeje, Milagros nuk pësoi asgjë.

“Ime më më ka treguar se I kishte ikur edhe zëri, nuk thërriste dot. Në një moment, kishte dëgjuar një qen kërkimi që nisi të lehte, por ajo nuk arrinte te nxirrte zë. Një grua tjetër, e bllokuar aty pranë, thirri fort dhe punonjësit e dëgjuan. Ata në fund më nxorën mua dhe nënën time, por nuk e gjetën kurrë atë gruan tjetër”, tha Milagros Guadalupe Hernandez.

Histori të tilla mbijetese të rrallë nuk janë të vetmet; një vajzë 6 muajshe u gjet në jetë katër ditë pas shembjes së një ndërtesë ne kryeqytetin e Kenias, Nairobi. Majin e vitit 2013, një e mbijetuar u nxor nga gërmadhat e një fabrike të shkatërruar në Bagladesh plot 17 ditë pasi godina që kthyer në një gërmadhë. Janarin e 2010-tën, një burrë jetoi për 12 ditë nën rrënojat e një godine të rrafshuar nga tërmeti që shkaktoi atje 200 mijë të vdekur. Rasti më I jashtëzakonshëm është ndoshta ai I një 40-vjeçareje në Kashmirin e administruar nga Pakistani; zona u godit nga lëkundje të dhunshme sizmike dhjetorin e vitit 2005, dhe gruaja u arriti të shpëtohej pas më shumë se dy muajsh në gërmadhat e shtëpisë së vet. Naqsha Bibi kishte arritur të jetonte falë ujit të shiut dhe ushqimeve të kalbura që arrinte të tërhiqte, ndërsa vendi ku kishte ngecur ishte aq I ngushtë sa nuk lëvizte dot. Edhe rasti I saj, u cilësua një mrekulli.

Por si mund të mbijetohet nën gërmadha pas një tërmeti? Julie Ryan, koordinatore pranë Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC) me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se mbijetesa në masë të madhe varet nga ajo që ndodh në momentin kur tërmeti godet më së pari, apo kur ndërtesa shembet.

“Situata ideale është kur, ndërsa jeni të bllokuar, por keni një lloj furnizimi me oksigjen nga jashtë, nuk jeni të lënduar, e mundësisht, keni dhe një lloj aksesi tej uji. Mirë është kur ekziston një lloj hapësire, një farë boshllëku mes jush dhe masës inerte që ju rrethon”, tha Julie Ryan, IRC

Ajo kujtoi sesi një ekip IRC arriti të shpëtonte një herë tre djem të varrosur praktikisht për pesë ditë nen rrënojat e shkollës së tyre pas tërmetit të 2005-sës në Pakistan.

“Ata ishin të shtrirë në kurriz pranë njëri-tjetrit; tavani u kishtë rënë sipër e I prekte hundën, por nuk I kishte lënduar. Një tjetër djalë që kishin në krah, kishte ndërruar jetë”, tha Julie Ryan, IRC.

Rastet e mbijetesës nën gërmadha për më shumë se dy javë konsiderohen mjaft të rralla, e megjithatë, shembuj që mbërrijnë nga pjesë të ndryshme të botës tregojnë se mrekullitë ndodhin, dhe shpresa nuk duhet humbur.

“Ti mendon se nuk ka më njerëz të gjallë aty poshtë, megjithatë diçka të shtyn të vazhdosh të përpiqesh. Dhe kur dëgjon një zhurmë jete që vjen prej gërmadhave, ai është tingulli më I bukur në botë. Kjo është ajo që mund të bëjmë ne; ajo që mund të bëhen ata, është të mos dorëzohen. Sepse disa njerëz të bllokuar, thjesht e pranojnë situatën duke bindur veten se ky ishte fati i tyre. Por të tjerë luftojnë që të jetojnë”,u shpreh Graham Payne, organizata bamirëse Rapid.

Sharing is caring!

Loading...
shares