LSDM: Qeveria i kaloi 100 ditët e para me punë të përgjegjshme dhe përkushtim

LSDM sot përmes një komunikate nënvizon se 100 ditët e para të mandatit të qeverisë së re të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski kaluan me punë të përgjegjshme e përkushtim për tejkalimin e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike.

“Janë marrë masa në kohë dhe efikase për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Në javët e para e kemi rritur pagën minimale në 18.000 denarë dhe sipas afateve ligjore do të ketë rritje të pagave në të gjithë sektorët. Përmes dialogut social u dakorduam për një metodologji të re me të cilën pensionet nga shtatori do të rriten me përqindje rekord.

Për t’u përballur me pasojat e krizës, siguruam mbështetje shtesë financiare prej 1000 denarë për familjet e rrezikuara sociale dhe pensionistët për një periudhë tre mujore.

Kemi ulur akcizat dhe TVSH-në për derivatet e naftës dhe kemi hequr TVSH-në për produktet bazë, sot një familje mesatare kursen rreth 4000 denarë për shkak të uljes së shpenzimeve për ushqim, karburant dhe rrymë”, thekson LSDM, përcjell INA.

Sipas kësaj partie udhëheqëse në pushtet, të gjitha këto vendime shtetërore janë marrë nga Qeveria e prirë nga subjekti i tyre në 100 ditët e para të mandatit për mbrojtjen e standardit të qytetarëve.

“Në të njëjtën kohë vazhdojnë reformat në të gjithë sektorët e rëndësishëm për integrimin tonë evropian, të rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë sonë”, shtoi partia në pushtet. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey