Maqedoni, tarifa të reja për shpenzimin e energjisë elektrike

Kriza ekonomike që ka shkaktuar shtrenjtimin e çmimeve të ushqimeve të konsumit bazë dhe të shërbimeve, ka goditur shumë familje në Maqedoninë e Veriut, në veçanti ato që jetojnë me ndiha sociale dhe të tjerët me të ardhura të ulëta.

Njëra ndër to është edhe familja e Ibrahim Selmanit, i cili me familjen e tij katëranëtarëshe mbijeton me një ndihmë të vogël sociale, që për një anëtar të familjes sillet në rreth 30 euro. Paralajmërimi i Komisionit Rregullator për Energjetikë se nga muaji qershor do të ketë rritje të re të çmimit të energjisë elektrike, paraqet shqetësim shtesë për Ibrahimin se si do të arrijë t’i paguajë faturat.

“Çdo para që marrim, detyrohemi t’ia japim EVN-së (kompanisë energjetike). Çmimet janë shumë të larta dhe nuk po mundemi t’i përballojmë. Shumica e popullatës jetojnë me ndihma sociale. Marrin një ndihmë sociale prej 2.000 denarëve (35 euro), ndërsa fatura vjen deri 6.000 denarë (95 euro). Ku t’i marrim këto para për ta paguar”, thotë Ibrahim Selmani, i papunë.

Edhe Aco Stojmenov, pensionist, thotë se rritja e çmimeve po shkakton shqetësime serioze për të dhe bashkëshorten, pasi jetojnë me një pension prej rreth 150 eurosh në muaj.

“Çdo gjë në shtet po shtrenjtohet, jo vetëm energjia elektrike. Ne jemi dëshmitarë të rritjes së përditshme të çmimeve të karburanteve. Ja tani paralajmërojnë rritje të re të çmimit të energjisë elektrike. S’di si do të mund t’ia dalim me këto të ardhura që marrim. Nëse vazhdon kështu, nuk do të mund të sigurojmë as bukën se lëre më nevojat tjera. Kjo në veçanti vlen për rastet sociale dhe ato familje me të ardhura minimale”, thotë pensionisti Aco Stojmenov.

Një kilovat energji elektrike në Maqedoninë e Veriut kushton gjashtë denarë (dhjetë centë) me tarifën e shtrenjtë dhe tre denarë (pesë centë) me atë të lirën.

Dy paga minimale të pamjaftueshme për shportën e qytetarit
Shtrenjtimi i energjisë elektrike nxit pakënaqësi në Maqedoninë e Veriut
Shkupi pret pasoja energjetike nga kriza në Ukrainë

Një familje për energji elektrike mesatarisht shpenzon në muaj deri 50 euro në sezonin e verës dhe dyfish apo më shumë në sezonin dimrit, nëse ngrohet me energji elektrike.

Komisioni Rregullator për Energjetikë ka bërë të ditur se është afër miratimit të një rregulloreje të re, që parasheh disa kategori apo tarifa të pagesës së faturave, por ato ende saktë nuk janë përcaktuar pasi akoma po i vazhdojnë konsultimet institucionet kompetente.

“Do të ketë disa lloje të tarifave dhe nëse do të jenë tri apo katër, do të varet nga rezultati i bisedimeve me Fakultetin e Elektroteknikës dhe Makinerisë. Një gjë është e sigurt, se nuk do të ketë shtrenjtim për çmimin e lirë të energjisë elektrike. Familjet që shpenzojnë më pak apo deri në 100 kilovatë orë energji elektrike, do të paguajnë më pak apo nuk do të ketë shtrenjtim për to”.

“Mesatarisht te ne, një familje shpenzon deri në 400 kilovatë në muaj, por ka edhe të tjera që shpenzojmë shumë më tepër, përfshirë këtu edhe bizneset. Kush sa shpenzon, aq edhe do të paguajë, kush shpenzon më shumë, do të paguajë më shumë”, ka deklaruar Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Ai, gjithashtu, ka dalë me një të dhënë se 17 amvisëri në Maqedoninë e Veriut shpenzojnë rreth 10 për qind të të gjithë energjisë elektrike, por nuk ka dhënë detaje, nëse këto familje shpenzojnë energjinë për kriptovaluta apo për qëllime tjera.

Profesori i energjetikës, Konstatin Dimitrov, duke komentuar njoftimin për tarifat për energjinë elektrike, thotë se ky model do të ndihmojë vetëm të varfrit, por, sipas tij, rritje të çmimit do të ketë për të gjitha kategoritë.

“Një është e sigurt, energjia elektrike do të shtrenjtohet. Më të varfrit ndoshta do të paguajnë sikur edhe deri më tani. Ndoshta kjo mund të duket në rregull, meqë ata nuk kanë para. Problemi nuk është vetëm me këtë kategori, problemi është për gjithë vendin. Do të ketë krizë, mund të ketë edhe mungesë të energjisë nëse kriza vazhdon të përkeqësohet”.

“Ne nuk prodhojmë energji elektrike dhe gjithçka që blejmë, varet nga bursat. Çmimin nuk e diktojmë ne, por tregjet botërore, kështu që rritje do të ketë. Ne nuk mund të presim që çmimi të kthehet atje ku ishte vitin e kaluar në 70 euro për megavat orë energji elektrike, madje është pikëpyetje nëse do të jetë 200 apo 220 euro, pasi mund të shtrenjtohet edhe më shumë”, thotë Dimitrov.

Shtrenjtim i fundit i energjisë elektrike prej 10 për qind ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, por të njëjtën kohë Qeveria ka kthyer edhe Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH) nga 5 në 18 për qind, me çka amvisëritë kanë paguar fatura më të larta për 12.36 për qind./rel

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey