Maqedonia e Veriut është në vendin e tretë sipas rritjes së çmimit të bukës në Evropë, njoftoi Eurostat

Në Maqedoninë e Veriut është shënuar rritja e tretë më e madhe e çmimit të bukës në Evropë në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave të Eurostat-it, drejtoria e përgjithshme e Komisionit Evropian përgjegjës për informacione statistikore, transmeton Portalb.mk. Eurostat ka monitoruar çmimin e bukës në vendet evropiane në pesë vitet e fundit dhe […]

shkurt 1, 2025 - 21:00
 0  4
Maqedonia e Veriut është në vendin e tretë sipas rritjes së çmimit të bukës në Evropë, njoftoi Eurostat
Raftet e bukës në disa markete të Çairit. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Në Maqedoninë e Veriut është shënuar rritja e tretë më e madhe e çmimit të bukës në Evropë në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave të Eurostat-it, drejtoria e përgjithshme e Komisionit Evropian përgjegjës për informacione statistikore, transmeton Portalb.mk.

Eurostat ka monitoruar çmimin e bukës në vendet evropiane në pesë vitet e fundit dhe të dhënat tregojnë se në atë periudhë çmimi i bukës në Maqedoni është rritur për 65%.

Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar në Hungari me 113%, dhe në vend të dytë është Polonia me një rritje prej 75%.

Me rritje të ndjeshme të çmimit të bukës, dallohet Sllovakia me 62% dhe Kroacia me 58%, ndërsa në rajonin tonë çmimi i bukës në Bullgari është rritur për 54%, ndërsa në Serbi për 39%.

Vendet me rritjen më të vogël të çmimit të bukës janë Zvicra – 8%, Finlanda – 17%. Franca – 20% dhe Suedia – 20%.

Ndryshe, dje, një numër i madh qytetarësh bojkotuan marketet e mëdha zinxhirore, si reagim ndaj çmimeve të larta të produkteve.

Bojkot të marketeve ka pasur edhe në vendet e rajonit. Në Kroaci, më 24 janar, u mbajt bojkot i dyqaneve, rrjeteve të marketeve dhe pikave të benzinës për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

Thirrjet për bojkot të dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve u përhapen në mediat sociale një javë më parë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe arritën edhe në Maqedoninë e Veriut.