Maqedonia nuk na njeh akoma se jemi Republika e Shqipërisë?!

Nga Bardhyl Berberi

Duket krejt absurd se edhe pse ka më shumë 30 vjet që Shqipëria nuk është më Republika Popullore e Shqipërisë, por Republika e Shqipërisë. Pikërisht atje ku degëzohet rruga nga drejtimi për në Shën Naum dhe ana tjetër në drejtim të doganës shqiptare shigjeta tregon drejtimin “Republika Popullore e Shqipërisë“!

Të jetë rastësi apo e qëllimshme?

Në këto 30 vjet tabelat treguse janë ndërruar disa herë dhe janë lyer me bojë, por mbishkrimi ngelet i njëjtë “Republika Popullore e Shqipërisë“. Sa personalitet të politikës shqiptare në këto vitet e demokracisë kanë kaluar nga dogana e Tushemishtit dhe sapo kanë hyrë në tokën maqedonase atje ku rruga kthehet për në “Shën Naum” ndodhet kjo tabelë. Presidentë, kryeministra apo ministra të jashtëm apo të brendshëm që kanë kaluar aty për të shkuar tek vila e Titos “Biljana” apo në Ohër janë përballur me këtë tabelë fyese për ne shqiptarët. Autoritetet zyrtare shqiptare nuk duhet që të lejojnë që të tallet një fqinj aspak serioz me shtetin e tyre. Ata në rrugë diplomatike duhet që patjetër me një notë proteste t’u bëjnë të qartë fqinjëve të tyre për këtë lajthitje të tyre kur ka shtete që ende thonë (FYROM ), ish-republika e Maqedonisë. Ka qenë i pari shteti ynë që e ka pranuar me emrin e ri Republika e Maqedonisë, atëherë pse autoritetet maqedonase tallen me ne?

Kjo nuk është aspak serioze pasi ky shtet i brishtë në Ballkan që ka problem me të gjithë fqinjët. Kështu Bullgaria nuk i njeh gjuhën, Serbia nuk I njeh kishën, grekët nuk i njohin emrin dhe me ne shqiptarët ka problem me territorin!

Një qytetar maqedonas Mitre Smiljeski me tha se kjo është e turpshme dhe e qëllimshme. Personat zyrtare që merren me emërtimet në tabelat e rrugëve në Maqedoni pasi ky nuk është rasti i parë një tabelë e njëjtë është edhe në Strugë që tregon drejtimin për në Qafë–Thanë ku ka të njëjtin emërtim Republika Popullore e Shqipërisë! Dhe një argument tjetër që kjo lajthitje është e qëllimshme. Si ka mundësi që në nëshkrimin e të gjitha marrëveshjeve zyrtare diplomatike apo ekonomike shkruhet ‘Republika e Shqipërisë’, ndërsa nëpër tabelat emërtuese nëpër rrugë shkruhet ‘Republika Popullore e Shqipërisë’ me emërtimin që kishim në kohën e komunizmit. Paradoksale është që edhe kur zëvendësohen tabelat e vjetra me të rejat është i njëjti emërtim ai i vjetri dhe askush nuk kujtohet që t’i ndryshojë. Kjo lajthitje duhet që të rregullohet sa më parë pasi emërtimet zyrtare të rrugëve apo shesheve dhe emërtime të tjera fqinjët tonë duhet të jenë korektë ashtu sikur jemi edhe ne me ata.(INA)

Bardhyl Berberi, publicist dhe gazetar

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey