Marotta enigmatik, mediat italiane zbulojnë operacionet e merkatos

Giuseppe Marotta deklaroi se nuk ka asnjë negociatë mes Interit, Eriksen dhe Tottenhamit, për transferimin e danezit në Milano dhe se zikaltrit po punojnë vetëm për të shfrytëzuar mundësitë që merkatoja e dimrit ofron, por mediat italiane këmbëngulin për të kundërtën.

Kështu sipas “Sportmediaset.it”, zikaltrit kanë pritur në Milano menaxherin e Eriksen dhe kanë arritur marrëveshjen për një kontratë të vlefshme deri në verën e 2024-ës, ndërsa tani po negociojnë me Tottenham për ta marrë danezin që këtë muaj.

Londinezët këmbëngulin për 20 milionë euro, në këmbim të kartonit të fantazistit, ndërsa Marotta nuk ofron më shumë se 15, duke qenë se Interi ka premtuar jo pak komisione, në rast se marrëveshja mbyllet me sukses.

Edhe përforcimet në repartet e tjera të fushës, pritet të vijnë pikërisht nga Premier League, ku zikaltrit janë duke negociuar për të afruar dy futbollistë me eksperiencë nga skuadra si Chelsea dhe Manchester United.

Kështu nga “blutë” e Londrës pritet të vijë zëvendësuesi i Lukakut, që është Olivier Giroud, kontrata e të cilit me Chelsean skadon këtë verë dhe londinezët kanë kërkuar 4 milionë euro për ta lënë të lirë që në janar.

Interi është gati të paguajë dy milionë euro, ndërsa sot Lampard e la kampionin e botës në tribunë, duke deklaruar se gjithçka mund të ndodhë në ditët në vijim, ndaj zikaltrit presin që Chelsea të ulë pretendimet për një lojtar që rrezikon ta humbë pa para në verë.

E njëjtë është situata edhe me anësorin e Manchester United, Ashley Young, që ka refuzuar rinovimin e kontratës me “Djajtë e kuq”, pasi në vitet e fundit të karrierës joshet për të provuar një eksperiencë të re, nën drejtimin e Antonio Contes.

Edhe në këtë rast, drejtuesit e Manchester United këmbëngulin të përfitojnë sadopak nga kartoni i Young, që ka kontratë deri në verë me skuadrën nga “Old Trafford”, por në fund anglezët pritet t’i plotësojnë dëshirën një mbrojtësi që ka dhënë gjithçka për atë fanellë.

Zbehet gjithnjë e më shumë pista Arturo Vidal, me mesfushorin kilen që mund të ndryshojë mendje dhe të qëndrojë në “Camp Nou”, nëse drejtuesit e Barcelonës do të shkarkojnë trajnerin Valverde gjatë këtyre ditëve, ashtu siç po flitet edhe në media.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey