MASH-i sërish me premtime për tekste të reja pa fyerje dhe gabime

Janë të paktë mësimdhënësit të cilët kanë ngritur zërin kundër fyerjeve dhe gabimeve në librin e Sociologjisë, për nxënësit e shollave të mesme më mësim në gjuhën shqipe. Liman Aliji që ligjëron sociologjinë në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, tha se me këto njësi mësimore ishte përballur që në vitin 2002, kur ai ishte nxënës i shkollës së mesme. Që prej atëherë e deri më sot, Aliji tha se asgjë nuk ka ndryshuar përveçse nxënësit maqedonas, që mësojnë nga i njëjti libër, janë detyruar t’u binden të pavërtetave ndaj shqiptarëve.

Nxënësit maqedonas këtë gjë e kanë marrë të mirëqene dhe sot kur kanë kaluar gjenerata gati 20 vjet.. vazhdojnë të jetojnë dhe vazhdojnë ti kenë bindjet sipas librit të sociologjisë. Është dashur të diskutohet sigurisht, nuk e shfajësoj veten time por edhe kolegët e mi, por edhe gjithë profesorët tjerë që ligjërojnë në lëndën e sociologjisë, ky problem është dashur të vërehet edhe më herët, libri është që nga viti 2002 – deklaroi Liman Aliji, mësimdhënës i sociologjisë, gjimnazi “Zef Lush Marku”.

Aliji shton se përveç paragjykimeve dhe fyerjeve, libri në fjalë përmban edhe shumë gabime gjuhësore. Aliji apelon institucionet përkatëse që në përpilimin e librave e rinj të sociologjisë të përfshihen edhe sociolog shqiptar.

Në një shoqëri multietnike ku jetojnë disa grupe etnike nuk është e drejtë që librat të bëhen vetëm nga grupi etnik maqedonas dhe të njëjtat tu jepen shqiptarëve që të ligjërojnë nga ato libra. Duhet të jenë në konsultim prej të dy palëve, prej të dy grupeve etnike dhe duhet vazhdimisht edhe përkthyesit e librave të jenë persona adekuat. Libri i sociologjisë ka edhe gabime tjera edhe në përkthim por edhe gabime tjera të cilat janë me tendencë – deklaroi Liman Aliji, mësimdhënës I sociologjisë, gjimnazi “Zef Lush Marku”.

Nga Ministria e Arsimit thanë se brenda planit për reformën e plotë të sistemit arsimor, një nga hapat kryesor është sigurimi i teksteve cilësore në arsimin fillor dhe të mesëm. Më tej, nga Ministria e Arsimit thanë se mangësitë në shumë libra shkollorë do të hiqen plotësisht dhe do të zgjidhen sistematikisht. Ndaj librit të sociologjisë tashmë disa herë ka reaguar edhe Unioni i nxënësve të shkollave të mesme dhe forumi rinor i Aleancës për shqiptarët dhe Alternativës, i cili publikisht dogjën faqet fyese të librit.

Libri i sociologjisë me përmbajtje fyese është në përdorim për më shumë se 20 vjet dhe që atëherë e deri më sot me dikasterin e arsimit ka udhëhequra pesë ministra shqiptar, të cilët përveç premtimeve nuk kanë bërë asgjë për botimin e teksteve të reja apo eliminimin e përmbajtjeve fyese dhe gabimeve tjera të shumta si drejtshkrimore ashtu edhe përmbajtjesore.

Melihate Rustemi

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey