Me rastin e 175 vjetorit të lindjes së Mehmed Naim Bej Frashëri

Nga Fryzmim Dauti

Mehmed Naim bej Frashëri në Stamboll ishte funksionerë i lartë në Ministrinë e Arsimit. Fakti që ai ishte i kyqur në sistemin arsimorë të Perandorisë Osmane ishte edhe një ndër arsyet që u aktivizua për çështjen e shkollava shqipe dhe librave shkollorë në shqip. Në fillim të karierës së tij në Ministrinë e Arsimit ai botoi një libër leximi me tregime për fëmijë për nxënësit e shkollave në osmanlisht. Mirëpo aktiviteti i tij i pastajmë intelektual u përqëndrua në përgaditjen e librave shkollorë për shkollat shqipe si dhe për zhvillimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Në këtë kontekst ai shkroi edhe dy libra leximorë për shkollat shqipe. Në librin e parë nga gjithësejtë 55 tregimeve vetëm tre kishin tematikë me përmbajtje historike. Ata përmbajtje ishin nga historia osmane për sultan Sulejmanin, nga historia austriake për kajserin Josef dhe nga historia ruse për car Ivanin. Qëllimi i atyre tregimeve të shkurtëra me përmbajtje historike me siguri që kishin të bënin me respektimin e specifikave të veçanta të identiteteve të shqiptëtarëve me fe të ndryshme. Kjo pasi që shqiptarët muslimanë identifikoheshin me sultanin, përderisa me kajzerin identifikoheshin pjesërishtë shqiptarët katolikë, të cilët ishin nën protektorat kulturorë të Austro-Hungarisë. Përderisa për ortodoksët shqiptarë, Mehmed Naim Frashëri kishte përzgjedhur carin me qëllin që të evitonte identifikimin e nxënësve shqiptarë ortodoksë me mbretin e Greqisë. Kjo për arsye se asimilimi i ortodoksëve të Shqipërisë në grekë si dhe okupimi i pjesës jugore të Shqipërisë ishin pretendime të hapura të qeverisë mbretërore të Greqisë. Hartimi i atyre librave shkollorë dëshmonte se ai kishte vizionin se një ditë në shkollat shqipe të Perandorisë apo të Shqipërisë, shqiptarët me fe të ndryshme do të mësonin bashkërisht nga librat shkollorë të njejtë. Andaj që të evitoheshin konfliktet e mundëshme që mund të paraqiteshin si pasojë e dallimeve identitare të shqiptarëve, ai me kujdes i kishte përzgjedhur temat e tregimeve me përmbajtje historike. Për të dëshmuar se shqipja e kishte kapacitetin që të përdorej edhe për mësimin e shkencave, ai shkruajti edhe një libër shkollorë, e ku përfshiheshin njohuri elementare në matematik, gjeometri, fizik, kimi, gjeografi, biologji dhe astronomi.
Mehmed Naim Frashëri i relativizonte dallimet fetare të shqiptarëve dhe shkruante se shqiptarët kishin një fe pasi që të gjithë besonin në Zot. Një poemë e tij e shkruar në greqishtë përfundonte me fjalët se të gjithë fetë kanë një themel të përbashkët, e që është njerëzimi. Në një poezi tjetër ai shkruante: “Po të nderoj njeriu njerinë/ E ka nderuar dhe Perendinë.”
Mehmed Naim aftësinë e tij si poliglot e dëshmoi me botimin e një përmbledhje vjershash në persishtë, poemë në greqishtë dhe shumë shkrime në turqishtë dhe shqip. Ai poashtu u morrë me përkthime dhe përveç gjuhëve të lartëpërmendura ai e përktheu në shqip edhe suren e parë të Kuranit. Shkrimi i veprave të tija në të gjithë ata gjuhë, janë dëshmi se Mehmed Naim përveç se ishte poet dhe shkrimtarë ai kishte një mendje briliante. Megjithatë kjo nuk nënkupton se ai ishte i zgjuarë edhe për çështje politike. Dobësia në shkrimet e Mehmed Naim sidomos shfaqej në njohuritë e tija për historinë. Në një rast ai shkruante se shqiptarët në tre raste e kishin shpëtuar Evropën nga Azia. Rasti i parë kishte qenë kur Akili e mbrojti Evropën nga trojanët, rasti i dyti kur Aleksandri i Madh e mbrojti prej persianëve dhe rasti i tretë kur Skenderbegu e mbrojti nga turqit. Sipas Naimit, shqiptarët ishin populli më i vjetër i Evropës dhe se shqipja po ashtu. Ai edhe për shumicën e emrave të perendive të Greqisë Antike thoshte se janë shqipe dhe përpiqej më kotë që nëpërmjet etomologjisë të dëshmonte konstatimet e tija. Se në çfarë ekstremi ndonjëherë shkonte fantazija e tij për shqipen dhe shqiptarët e dëshmojnë edhe këta vargje: “Ne pellazgët kemi lerë para se të lindte hëna/ Kur Adami nuk ka qenë veçse ujë e pluhur/ Dhe të parët tanë sishin vetëm baballarë popujsh/ Porse ishin baballarë edhe të vetë perëndive.” Si duket ata vargje i kishin pëlqyer edhe disa shqiptarëve të Stambollit, prandaj dhe në numrin e parë të gazetës shqip-osmanlisht që filloi të botohej në Staamboll në vitin 1908, u publikuan vargje të Mehmed Naim me përmbajtje të ngjajshme. Vargjet në fjalë ishin: “Ademi dhe skishte lerë/ kërthiza si ishte prerë/ ai ishte uj e baltë/ ne ishin njerëz të naltë/ hëna sishte në jetë/ dheu kishte vetëm bar e fletë/ kur ka lindur shqiptari/ është nga gjithë më i pari.”
Çështjes së gjuhës Mehmed Naim i jepte rëndësi të madhe pasi që ai mbështeste teorinë se gjuha ishte vendimtare në përcaktimin e definimit të kombit dhe shkruante: “Gjuha është që i ndanë njerëzit në kombe.” Poashtu ai potenconte se mosshkrimi i shqipes ishte arsyeja se pse shqiptarët ishin të prapambetur. Ai inventonte fjalë shqipe nëse nuk kishte fjalë adekuate për të përshkruar një ndodhi apo një send, dhe shkruante se fjalët e huaja në gjuhën shqipe ishin sikur derri ndër dhen. Për atë arsye ai edhe i kritikonte veprat e poetëve [bejtëve] më të hershëm shqiptarë musliman dhe i akuzonte ata se e kishin shëmtuar shqipen me fjalë të huaja. Përderisa vëllau i tij Shemsettin Sami bej Frashëri përpiqej që të largoheshin fjalët e panevejshme persishte dhe arabishte nga turqishtje, për çështjen e shqipës ata kishin zgjedhur që mos të përdornin asnjë fjalë të huaj gjatë shkrimit të shqipës. Për atë arsye ata inventonin fjalë të reja, e që për lexuesit, e veçanërisht për gegët, ndodhte që shkrimet e tyre të kuptoheshin me vështirësi.
Për ata shqiptarë që nuk e preferonin shqipen si gjuhë të edukimit të tyre shkollorë, Mehmed Naim jo vetëm që i ofendohente duke i quajtur se ishin sikur kafshët [“Ajy njeri që ska dashurin e Mëmëdheut dhe të Mëmëdhetarëve është një farë kafshe,”], por i etiketonte ata si tradhëtarë të kombit dhe armiq të Zotit. Ai shkruante: “Shokë! Kemi në mest tënë/ Shum armiqë e tradhëtorë/ […]Me të huajnë u bënë! Me armikun e Shqipërisë! Sduan gjuhën Tënë / Armikt e Perendisë!” Çështjen e kombit, gjuhës dhe mëmëdhut, Mehmed Naim përpiqej që ta ngrinte në diçka hyjnore, duke shkruar në shumë raste se shqipja ishte gjuhë perendije. Përderisa për kombin dhe mëmëdheun shkruante: “Dashuria për kombin dhe mëmëdheun kanë uratë nga Zoti […] Zoti i mallkon ata që se duan kombin dhe mëmëdheun e vetë.“
Në një rast Mehmed Naim poteconte faktin se poema persishte “Shahnameh” u shkruajt pa u përdorur asnjë fjalë arabe, dhe e citonte poetin Firdausin i cili kishte shkruar se 30 vite ishte përpjekur që nëpërmjet gjuhës të ringjallte Persinë. Firdausi me siguri që kishte qenë një frymëzim për Mehmed Naim që edhe ai nëpërmjet gjuhës shqipe të krijonte Shqipërinë. Por jo vetëm kaq. Ai poashtu e përmendte edhe një anekdotë për Firdausin e ku thuhej se ate në xhennet e kishin pritur melaqet duke i recituar vargjet e “Shahnameh.” Përmendja e asaj anekdote na le të kuptojmë që edhe ai kishte një shpresë se përpjekja e tij për çështjen shqiptare ndoshta do ta bënte ate nga banorët e xhenetit. Në njëfarë mënyre Mehmed Naim Frashëri besonte se kishte një mision hyjnorë për ta kryer gjatë jetës së tij. Në një letër drejtuar disa shqiptarëve në Rumani ai kishte shkruar si vijon: “Më shëroi Perendia, i qofsha falë! Se nuk i kam mbaruar punëtë qu duhen shqipëtarëve.” Përderisa në një poezi ai shkruante se frymëzimin e mirrte nga melaqet: “Engjëll! Që mu qase pranë/ Nga i madhi Zot/ Pse më rëfen Qerbelanë? A do të derth lot?”
Mehmed Naim jo gjithmonë kujdesej që vargjet e tija të mos binin në kundërshtim me mësimet e Kuranit apo të Biblës. Veq asaj, në shkrimet e tija, në disa raste, mbisundote theksimi i identitetit të tij bektashian. Në një poezi ai shkruante se djallëzia është Sufjani, gësnjeshtra është Muavija, egërsira është Jezidi dhe e liga është Mervani. Përderisa në një poezi tjetër kushtuar ditës së Nevruzit ai shkruante: “Lint vera, lint ngrohtësia, lint Aliu vetë Zoti. / […] Lint Aliu, çfaqet dita, del Zoti, vjen e vërteta, […].”
Kuptohet që vargjet e lartëpërmendura nuk mund të përypeshin lehtë nga ulemaja shqiptare. Veç asaj, Mehmet Naim filloi me përkëthimin e Kuranit në një kohë që kjo ishte një temë tabu. Kurani në atë kohë ende nuk ishte përkthyer në persisht, turqisht, urdu apo gjuhë të tjera të lindjes. Dhe ajo çka ishte më interesante, ishte fakti që gjatë përkthimit të Sures El-Fatiha, ai nuk përdori asnjë fjalë arabe. Në një farë forme edhe ajo ishte një provokim për ulemanë shqiptare. Këta ndoshta dhe ishin faktorët që ndikuan që poezija e tij të shihej me një sy kritikë nga shqiptarët konzervativ musliman.
Në disa raste Mehmed Naim kur u referohej turqëve gjatë historisë i përshkruante ata me fjalët më të poshtëra të mundshme. Në poemën në greqisht ai shkruante: “Dhe u bënë ata shkaktarë i të rëndës robëri/ Turqit, bishat gjakatare, shkatëronjësit e botës/ Porsi ujqër të uritur njerëzve u shqyen zorrët.” Megjithate duhet patur parasyshë se ai shkrim u drejtohej grekëve dhe në stilin e një poeti ai vetëm përshkruante ndjenjat e grekëve për turqit si pasojë e propagandës së kohës. Në po të njejtën kohë Mehmed Naim publikoi edhe librin e historisë së përgjithshme për shkollat shqipe dhe në te nuk përmendte robërin nga turqit. Përkundrazi ai shkruante: “Në mbretëri të Turqisë nuk u bënë robë shqiptarët, si sqenë bërë kurrë, po shkuan miqësisht e vëllazërisht.”
Në një letër të përbashkët të vëllezërve frashëri Shemsettin Sami dhe Mehmed Naim dërguar shoqërisë shqiptare në Bukuresht në vitin 1887, ata shkruanin se pushteti osman donte që të lexonin dhe të shkruanin në shqip vetëm shqiptarët e krishterë por jo edhe shqiptarët muslimanë, pasi që qeveria osmane shqiptarët mulsiman i konsideronte si turq dhe se nuk dëshironte që t’i ndaheshin. Duke qenë të vetëdijshëm për atë gjendje faktike, vëllezërit Frashëri nëpërmjet propagandës së tyre shqiptare, në njëfarë mënyre ndikonin që të largonin të krishterët ortodoksë të Shqipërisë [shqiptarë dhe vllehë] nga propaganda greke, si dhe t’i integronin ata me një nacionalizëm shqiptar. Propaganda e nacionalizmit shqiptarë që promovonin ata, ishte e toleruar nga pushteti osman pasi që në radhë të parë ajo ishte anti-greke, e që me automatizëm nënkuptonte se ishte pro-osmane. Prandaj dhe Mehmed Naim bej Frashëri në një rast shkruante: “Edhe çdo gjë , që është e mirë për Shqipërinë, është e mirë edhe për Mbretërinë, a çdo punë që është e ligë për Shqipërinë, është e ligë edhe për Mbretërinë [F.D. Perandorinë Osmane].”

[Autori është drejtor i Bibliotekës Kombëtare të RMV]

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey