“Me vrasjen e gjeneralit…”, SHBA e gatshme për negociatata. Irani: Nuk i zëmë besë!

Ishin sistemet antiraketë “Patriot” të SHBA, ato që mbrojtën hapësirën e aeroportit të Erbilit, ku janë vendosur bazat e një pjese të koalicionit ndërkombëtar. Ushtarët amerikanë ishin shënjestra e raketave balistike iraniane. Por edhe mes italianëve mund të kishte pasur viktima. Me këtë pohim, burime nga trupat italiane në Irak japin detaje të reja mbi bombardimet iraniane, të ndodhura në të njëjtën kohë mbi dy objektivë: kryesori ishte baza gjigande Al-Asad, pranë qytezës Al Qaim dhe në afërsi të kufirit sirian, ku janë stacionuar 2000 deri në 2500 ushtarë amerikanë.

Në atë të Erbilit ndërkohë ndodhej dhe kontigjenti italian, i sapo zhvendosur nga Bagdadi pas protestës së dhunshme përpara ambasadës amerikane. Siç dëshmojnë dhe ata sulmet nuk bënë viktima, ndryshe nga sa pretendonte media shtetërore iraniane.

Këtë e pohoi më herët dhe Donald Trump, sipas të cilit edhe bazat vetë nuk kanë pësuar veçse dëme minimale. Çka bëri të lindte pyetja: a mos i shmangu qëllimisht Irani viktimat në radhët e amerikanëve e të tjerëve bashkë me ta? A ishte thjesht ky një paralajmërim, që tregon se republika islamike kërkoi të tregonte dhëmbët, por nuk e dëshiron luftën e sigurtë me SHBA-në?

Nga Ëashingtoni mbërritën sinjalet e para të forta të vullnetit për të çtensionuar situatën. Përmes një letre të dërguar në OKB, Shtetet e Bashkuara e justifikonin vrasjen e gjeneralit Kasem Sulejmani duke e përshkruar si “akt vetëmbrojtjeje”, por shtonin se janë të gatshme të angazhohen pa kushte në negociata serioze me Teheranin.

Por për ambasadorin e Iranit në OKB Majid Takht Ravanchi, ofertës amerikane për bisedime nuk i duhet zënë besë, aq më tepër kur Trumpi paralajmëroi sanksione të tjera të ashpra ekonomike mbi vendin e tij.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey