Mençuria e Edi Ramës në raport me Albin Kurtin!

Kimete Berisha

Të gjithë ata që u duket e çuditshme dhe e pakuptimtë fushata e Kryeministrit Kurti në zgjedhjet e Shqipërisë, duhet t’i kenë parasysh këto ndryshime të mëdha që kanë ndodhur për të cilat nuk shkruhet:

1. Shpresa që ka ngjallur te shqiptarët Albin Kurti i kalon kufijtë e Kosovës.
Në Shqipëri, duke filluar nga fytyrat publike, janë duke e lakmuar Kosovën, që me Albinin dhe Vjosën, ia dolën ta largojnë nga skena politike mafinë politike, që e gllabëroi dhe e shkretëroi vendin për 20-të vjet.

2. Të njëjtën lakmi ndaj Kosovës tani e kanë edhe shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, të cilët janë të bindur se ‘Kosova shpëtoi’!

3. Prandaj, Kryeministri Kurti e di këtë fakt që ju nuk e dini, pra e ka të qartë se ka ngjallur shpresë te të gjithë shqiptarët.

4. Shqiptarët e Shqipërisë që prej rënies së diktaturës udëhiqen herë nga një klan e herë nga një tjetër klan mafioz.
Asgjë e re nuk ndodh në Shqipëri, asnjë figurë e re, asnjë politikan nuk të bën të shpresosh se Shqipëria mund të largojë nga pushteti politikanët e lodhur dhe të konsumuar nga pushteti!

Edhe atje, si në Kosovë, politikanët janë milionerë, populli është i varfër.

5. Prandaj, në Shqipëri, vendi i ‘shpresës’, vendi ‘i politikanit të shpresës’ politikanit pozitiv, modest dhe të urtë është ‘i lirë’.
Kushdo që është i zoti ta zë atë vend, e zë, nuk është e ndaluar me ligj.

6. Unë, siç e dini, jam e zjarrtë për bashkim kombëtar, dhe prandaj nuk më lë përshtypje kush është ‘më i zoti’ të na bashkojë.

Nëse nuk sheh veç para hundëve, por sheh më larg, Albin Kurti po e bën gjestin e duhur.
Çka ka të keqe të keqe të përkrahësh një politikan shqiptar!

Edi Rama e ka përkrahur gjithmonë dhe hapur Hashim Thaçin, e nuk u bë nami.

Kur bënin fushatë në Prizren e luanin me ndjenjat e shqiptarëve në Maqedoni, kanë hy n’gjynah, siç e dini!

7. Edi Rama është shumë i mençur.
Edi Rama e di se shpresa që kanë krijuar shqiptarët te Albin Kurti nuk mund të ‘zhduket’, nuk mund të zhbëhet me shamje, me debate e me fjalë.
Veç me heshtje, ndoshta kryen punë heshtja.

Sepse, Albin Kurti duhet të bëjë shumë vepra të këqija që t’ia marrin shqiptarët inat!
Fati i tij nuk varet nga kritikat tuaja, por nga veprat e tij.
Ata që e shohin si ‘shpëtimtar’, nuk heqin lehtë dorë nga Ai, sepse njeriu nuk heq dorë nga shpresa, për zorin më të madh.

Aq më tepër kur Albin Kurti tani për tani nuk e ka asnjë rival.

Edi Rama nuk e ngacmon, dhe kështu ia ‘ndal rritën’ në Shqipëri (sepse Edi Rama e di, se duke e sharë, e rritë).
Pra, Edi Rama e mund Albin Kurtin duke mos e luftuar.
Tash për tash. Sepse, vendi i ‘liderit të shpresës’ një ditë duhet të përmbushet!

P.S. Odi et Amo (Urrej dhe Dashuroj)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey