“Menytë e Ramazanit” shumë të shtrenjta, ekonomistë e hoxhallarë kritikojnë restorantet për çmime të larta

Për çdo fillim të muajit të Ramazanit, rrjetet sociale mbushen me reklama mbi ofertën e restoranteve të ndryshme për iftar.

Madje, jo rrallë herë ‘menytë e Ramazanit’ janë të sponsorizuara duke tentuar që konsumatorët të njihen me mundësitë e darkimit në kohë të muajit më të shenjtë të myslimanëve, shkruan Gazeta Nacionale.

Por, ajo që zakonisht bie në sy është çmimi i lartë. Nga 8, 12 e 16 euro janë disa nga çmimet e zakonshme të menyve të Ramazanit nëpër restorantet e lokalet në Prishtinë.

Facebook e Instagram, dy nga rrjetet shumë të përcjella nga kosovarët, janë për plotë me reklamime të ofertave për iftar, koha kur myslimanët ndërpresin agjërimin.

Shumë nga restorantet, nuk ofrojnë mundësi të darkimit për iftar jashtë menysë të përgatitur enkas për Ramazan. Shpesh herë, restorantet kanë pranuar kritika në Facebook rreth çmimeve të larta e tashmë një praktikë e tillë është kthyer edhe në shaka.

“Allahu i shpërbleftë pronarët e restoranteve, që me ofertat e tyre të Ramazanit, po e kthejnë bereqetin në shtëpia”, shkroi një qytetar.

Hoxha i njohur nga Drenasi, Osman Musliu, thotë se Ramazani na sjell në kujtesë nevojën për një etikë përfshirë atë në tregti. Bazuar mbi këtë, hoxha thotë se nuk është e udhës të rriten çmimet.

“Konsideroj se ky shtrenjtim i menyve në Ramazan nuk është aspak etik, aq më shumë kur e kujtoj që nuk përputhet me qëllimin primar të këtij muaji. Standardi i të ardhurave dhe çmimi i menyve më duket se nuk janë askund afër”, deklaroi Musliu për Gazetën Nacionale.

Ndërsa ekonomisti, Lulzim Beqiri thotë se çmimet e restoranteve nuk korrespondojnë me të ardhurat e kosovarëve.

“Mendoj se duke u bazuar në të ardhurat minimale dhe pagën mesatare gjithashtu edhe ngritjen e vazhdueshme të inflacionit rritja e çmime për menytë e iftarit ndikon dukshëm në gjepin e varfër të qytetarëve kosovar, edhe në vitet tjera ka pas ngritje të çmimeve sidomos në kohë të ramazanit, mirëpo nuk kemi pas krizë shëndetësore as financiare, prandaj nuk e shoh të udhës ngritjen e çmimeve në stadin aktual, jam i vetëdijshëm për ngritjen e çmimeve në përgjithësi por jo të reflektohet drejtpërdrejt te agjëruesit”, theksoi Beqiri për Nacionale.

Mulla Osmani deklaron se ndonëse në tregun e lirë lejohet rritja e çmimeve, “veç është pak marre”.

“Në këtë sistemin e tregut të lirë, çmimin bën me rrit, nuk të ndalon askush, veç është pak marre. E ndoshta dikush pranon me këmbye marren me pare. Kështu që edhe pse ne po jetojmë brenda një sistemi ku edhe vlerat me të shenjta shndërrohen në përfitime materiale, megjithatë mendoj se Ramazani është mundësia më e mirë të rikujtojmë se jo gjithçka këmbehet në pare. Mesazhi për fund do ishte që të mendohet edhe konsumatori dhe lumturia e tij dhe të vendosen çmime të përballueshme për ekonomitë tona familjare”, tha Osmani.

Kohëve të fundit, Kosova është përballur me rritja enorme të çmimeve si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Kujtojmë që një litër vaj arrit shifra rekorde duke u shitur për 3 euro 49 centë. Dyshimet për orkestrim të çmimeve shtyu Qeverinë Kurti të ndërhynte duke dënuar marketet e mëdha e konfiskuar qindra litra vaj që nuk ishin deklaruar./Gazeta Nacionale

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey