Mërgimtarët po bëjnë me orë e ditë rrugë për të ardhur në vendlindje

Në këtë valë të pushimeve verore, tashmë kanë ardhur në vendlindje shumica e mërgimtarëve.

Rrugëtimi i tyre është përplotë mundim, por i gërshetuar me kënaqësi, sepse ata thonë se mezi e presin këtë pushim veror për të shijuar vendlindjen.
Bëjnë nga 20 e 40 orë rrugë, varësisht nga shtetet më të largëta, me pritje të gjata nëpër pika kufitare, nëpër autostrada ku punohet, por edhe në pikat e pagesës rrugore, sidomos në Serbi.

Lulzim Alili, një mërgimtar nga Zvicra thotë për INA se mezi presin ditët e pushimit të verës për të ardhur në vendlindje.

“Vendlindja është vendlindje, toka ku ja ndjejmë aromën, pavarësisht se ndonjëherë mund të shpërthejmë nga ndonjë pakënaqësi. Ju e dini se sa orë rrugë i bëjmë, por dëshira dhe kënaqësia se po nisemi në mëmëdhe, në shtëpitë e familjet tona, kjo na lehtëson shumë dhe nuk e ndjejmë fare gjithë atë mundim”, thotë Luli.

Sipas tij, shtetet e rajonit të Ballkanit duhet të bëjnë ndonjë lehtësim për të kaluar pa kolona shumë të gjata, sepse në këtë periudhë thuajse mbi 80 për qind e atyre që udhëtojnë janë familjar.

Këtyre ditëve të fundit të korrikut, gati se gjithë familjet e mërgimtarëve kanë mbërritur në vendlindje dhe shtëpitë e tyre, ku po shijojnë pushimet, duke shëtitur dhe kaluar ditë e pushimit, pavarësisht temperaturave të larta. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey