Mickoski: Diaspora do të evidentohet, nuk mund të jetë pjesë e regjistrimit

Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski ka përsëritur edhe një herë që sipas tij diaspora vetëm do të evidentohet, dhe se nuk do të jetë pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë, transmeton Alsat. Mickoski arsyetoi qëndrimet e tij duke iu referuar nenit 8, paragrafi 2 dhe 3 nga Ligji për Regjistrimin e Popullsisë.

“Diaspora evidentohet, dhe nuk mund të jetë pjesë e regjistrimit. Të gjithë personat që kanë më shumë se 12 muaj që nuk jetojnë në vend, nuk mund së bashku me mua të futen në numrin e përgjithshëm të personave rezident. As unë dhe as VMRO-DPMNE-ja nuk do të pranojmë ato numra. Nuk ekziston fuqi që do të më shtyj të shkoj në kundërshtim me standardet e Eurostat”, tha mes tjerash Mickoski.

Por drejtori i Entit Shtetërore të Statistikave, Apostol Simovski theksoi se regjistrimi do të sigurojë të dhëna për popullsinë totale rezidente të banorëve, popullsinë totale jorezidente dhe popullsinë totale të regjistruar.

Banorët, shpjegoi Simovski, janë ata qytetarë me vendbanim në vend, pavarësisht nëse në kohën e regjistrimit janë në vendbanimin apo diku tjetër në vend. “Rezident janë edhe personat e huaj që qëndrojnë në Maqedoninë Veriore për më shumë se 12 muaj, dhe e njëjta gjë vlen për shtetasit që jetojnë jashtë vendit për më pak se 12 muaj në kohën e regjistrimit. Kjo kategori përfshin gjithashtu refugjatë që janë prezent në vend për më shumë se një vit. Popullsia jo-rezidente përfshin banorët e Maqedonisë Veriore të cilët kanë qenë jashtë vendit për më shumë se një vit për shkak të punës ose arsyeve të tjera”, theksoi Simovski. Kjo është e garantuar edhe me ligjin për regjistrim, që sipas tij, diaspora nisi të regjistrohet nga 21 marsi duke vijuar deri më 30 shtator. Regjistrimi i planifikuar për këtë muaj u shtye për në fillim të shtatorit të këtij viti, pas një marrëveshje mes krerëve të dy partive më të mëdha të LSDM dhe VMRO-DPMNE, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski. (INA)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey