Ministri Hoxha takime në nivel ministrash në kuadër të AGROEXPO 2021 në Izmir (FOTO)

Ministri i bujqësisë, Arjanit Hoxha në kuadër të agjendës së tij të vizitës në Turqi dhe pjesëmarrjes në Panairin Ndërkombëtar të Produkteve Bujqësore dhe Blegtorale, AGROEXPO 2021, në Izmir ka zhvilluar takime me ministra të vendeve pjesëmarrëse ndër të cilët ministrin e Bujqësisë të Republikës së Azerbajxhanit Inam Karimov.

“Në mënyrë që të sigurojmë tregje të reja për shitjen e produkteve bujqësore, kemi biseduar për përmirësimin e tregtisë midis vendeve tona, e cila ka potencial që të jetë në nivel shumë më të lartë se sa ai ekzistues. Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Azerbajxhanit ende nuk kanë nënshkruar Marrëveshje ose dokumente të tjera për bashkëpunim dypalësh në fushën e bujqësisë”, ka nënvizuar ministri Hoxha, duke shtuar se ky takim i frytshëm është vetëm fillimi i bashkëpunimit për hapjen e tregjeve të reja dhe shkëmbimin më të madh tregtar, veçanërisht në eksportin e produkteve bujqësore.

Ministri Hoxha dje është takuar me homologun turk, ministrin e Bujqësisë të Republikës së Turqisë, Bekir Pakdemirli. “Bashkëpunimi ynë me Ministrinë e Bujqësisë të Republikës së Turqisë po thellohet edhe më tej, bashkëpunim ky që për ne ka një rëndësi të madhe. Aktualisht, janë duke u zhvilluar disa projekte të përbashkëta, të cilat na mundësojnë të zbatojmë përvojën e tyre edhe në vendin tonë. Poashtu edhe rritja e shkëmbimit tregtar është me interes të veçantë, veçanërisht në pjesën e eksportit dhe plasmanit të produkteve tona bujqësore në tregun turk”, ka theksuar ministri i bujqësisë i Maqedonisë.
Sipas tij, pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim mes dy qeverive në sektorin e ujërave, Memorandumit për bashkëpunim në sektorin e pyjeve dhe Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e sigurisë ushqimore dhe politikave veterinare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në janar të vitit 2021. “Bashkëpunimi ynë me Republikën e Turqisë vazhdon edhe më tej dhe deri më tani janë krijuar edhe grupet e punës, të cilat veprojnë në sferën e përmirësimit të politikave në fushat e përmendura. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, sepse Republika e Turqisë është një nga dhjetë vendet më të zhvilluara në botë me bujqësi dhe me nivel më të lartë të prodhimit bujqësor në Evropë”, ka nënvizuar ministri Hoxha.(INA)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey