Ministri Shaqiri heq drejtoreshën në Shuto Orizarë dhe rikthen ish-drejtorin, vëllain e Visar Ganiut

Aleanca për Shqiptarët reagon në një konferencë për media për veprimet e kundraligjshme të ministrit të arsimit, Jeton Shaqiri për shkollë “26 Korriku” në Shuto Orizarë.

Ja reagimi i plotë:

Jemi këtu për të reaguar ndaj ndërhyrjes së ministrit për arsim dhe shkencë i cili me vendim politik dhe në kundërshtim me ligjin emërton drejtor në shkollën fillore “26 Korriku” duke anashkaluar kompetencat e Komunës së Shuto Orizares.

Konkretisht bëhet fjalë për drejtorin e deritanishëm, Dritan Ganiu, vëllaun e Kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, i cili për pesë vite ka qenë drejtor në këtë shkollë edhe pse nuk ka ripërtërirë provimin për drejtor dhe nuk ka poseduar liçencë për gjuhën angleze siç e kërkon ligji. I njëjti duke keqpërdorur detyrën ka organizuar konkurs të ri për t’u rizgjedhur edhe një herë. Inspektoriati i arsimit ka konstatuar mungesën e liçencave të kërkuara me ligj, andaj Komuna e Shuto Orizares ia ka ndërprerë mandatin dhe ka emëruar ushtruese të detyrës drejtoreshë. Por, ministri duke anashkaluar gjendjen faktike dhe duke shkelur ligjin, sjell vendim për ta rikthyer Ganiun drejtor, duke i dhënë edhe katër vite të tjera mandat dhe duke i dhënë mundësi të re për të dhënë provimet edhe pse në afatin paraprak i njëjti nuk e ka kryer këtë obligim.

I bëjmë thirrje ministrit që t’i mbajë duart larg shkollave, të respektojë pushtetin lokal dhe inspektoriatin dhe të ndërpresë urgjentisht ndërhyrjen partiake në shkollën “26 Korriku”. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey