Ministrja Gërvalla i reagon gazetës zvicerane: Publikuat pretendime të rrejshme, UÇK-ja nuk ka kryer krime

Kryediplomatja Donika Gërvalla i ka reaguar gazetës zvicerane të cilës i dha intervistë, duke thënë se në artikullin e intervistës së saj, NZZ ka pohuar gënjeshtra se UÇK-ja ka kryer vrasje pas përfundimit të luftës.

Gërvalla, e cila nga ky medium u citua të ketë thënë se civilë shqiptarë janë vrarë pas luftës dhe se për ta duhet të ketë drejtësi, sot shkruan se nëse janë kryer krime, ato i kanë bërë individët, e jo UÇK-ja.

“NZZ publikoi pohimin e rremë se UÇK-ja kreu vrasje pas përfundimit të luftës. UÇK-ja u shpërbë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999. Nëse krimet thuhet se janë kryer, ato janë bërë nga individë, jo nga UÇK-ja”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka përmendur UÇK-në dhe FARK-un, që tha se kanë shpëtuar civilë të pafajshëm.

“Gjatë gjenocidit në Kosovë, burra dhe gra të panumërta në UÇK, FARK dhe të tjerë sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar civilë të pafajshëm nga asgjësimi serb. Liria e medias gjithmonë duhet të mbrohet. Por kështu është e vërteta”, ka shkruar ajo.

“Gërvalla-Schwarz kërkon që shumë vrasje të pasluftës në vend të zgjidhen. Pas tërheqjes së trupave serbe, ato u kryen kryesisht nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, UÇK. Viktimat ishin serbë, romë dhe shqiptarë oponent të UÇK’së”, thuhet ndër tjerash në artikullin e mdiumit zviceran për të cilin Gërvalla dha intervistë.

Pas reagimeve të ashpra në drejtim të saj, Gërvalla tha mbrëmë se publikimi i kësaj interviste në mediat kosovare është “një fushatë që po bëhet kundër saj”.

Siç shkruhet në artikull, kryediplomatja kosovare fajin për mos-zgjidhjen e rasteve të vrasjeve të pasluftës ua lë gjyqësorit dhe pushteteve të mëhershme, derisa theksohet në të njëjtin paragraf se kryeministri Albin Kurti e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale.

“Së bashku me të tjerët, unë kam kërkuar vazhdimisht që vrasjet politike pas përfundimit të luftës të hetohen plotësisht”, ka deklaruar Gërvalla-Schwarz për NZZ, derisa ka kërkuar drejtësi papërjashtimisht për shqiptarët, serbët e romët.

Zëvendëskryeministrja më parë i pati akuzuar ish-krerët e UÇK-së për, siç pretendon ajo, vrasje të kundërshtarëve politikë pas luftës. Atëbotë, ajo premtonte se do të depononte dëshmi nëse do krijohej një gjykatë që do t’i gjykonte ata.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey