Muxhahedinët iranianë dhe historia e strehimit të tyre në Shqipëri

Muxhahedinët iranianë, të cilësuar ndryshe edhe si opozita iraniane në emigrim ndodhen tashmë të strehuar në disa vende të botës ku një pjesë e tyre edhe në Shqipëri.

Por kush janë ata dhe si u strehuan në vendin tonë? Ky grupim, i cili nga regjimi aktual i Iranit njihet si grupim terrosit, u krijua në vitin 1965 dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin 70’ kanë qenë në opozitë me ish liderin e Iranit Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Homeini. Në këtë situatë ku u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre, ata u larguan nga Irani.

Një pjesë emigruan në vendet perëndimore dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”. Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s.

Si lindi ideja për strehimin e një pjese të tyre në Shqipëri?

Pasi ushtria e SHBA-ve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak. Në vitin e fundit të mandatit të tij si Kryeministër, Sali Berisha ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBA-ve në vitin 2013, Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.

Ky hap i qeverisë Berisha u vazhdua edhe nga Kryeministri Edi Rama. Ai ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës. Kryeministri Rama, këtë hap të tij e konsideroi si një vendim humanitar dhe jo politik.

Pas këtij vendimi të Ramës pati një sërë reagimesh në nivelet më të larta të qeverisë amerikane, deri edhe te Presidenti, që shprehu falënderimet për këtë akt të ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës shkon rreth 3500. Kampi është i organizuar mbi modelin e një qyteze të vogël ku ofrohen të gjitha shërbimet brenda.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey