Muzeu i Alfabetit i zhytur në borxhe, katër muaj me xhirollogari të bllokuara

Muzeu i Alfabetit në Manastir po hyn në muajin e katërt të pezullimit të aktiviteteve, ndërsa “malit” me fatura të papaguara i shtohen vazhdimisht të reja. Pas disa ditësh objekti do të mbetet edhe pa sigurim, krahas problemeve të tjera me qiratë e prapambetura, faturat e telefonave, energjisë, shkruan gazeta Koha.

Ngrirja e llogarive të institucionit shtetëror ndodhi në muajin shkurt, kur kompania që realizoi rikonstruktimin e Muzeut borxhin e grumbulluar prej dy vjetësh ia kaloi përmbaruesve. Bëhet fjalë për projektin rikonstruktues të financuar nga granti i IPA (234 mijë euro), për të cilin IPA lëshoi 35 për qind të shumës, ndërsa pjesën tjetër pasi të kishin përfunduar punimet dhe verifikimit të faturave për punimet e kryera sipas projektit.

“Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Nga data 28 muzeu do të jetë pa sigurim dhe çdo gjë mund të ndodhë, siç kemi pasur raste vite më parë me akte vandale. Por më e keqja është se borxhet shtohen. Qiratë e katit të parë për të cilat japin çdo muaj 1500 euro, s’janë paguar, telefonat na i ndërprenë, energjinë po ashtu prej disa muajsh. Nuk e dimë se ç’do të bëjmë. Në seancën e qeverisë është diskutuar çështja jonë, por s’kemi ndonjë zgjidhje”, thotë drejtori i Muzeut të Alfabetit, Zait Aliu.

Sipas tij problemi ndërlikohet edhe më shumë duke vënë në pikëpyetje projektin me IPA, i cili duhej të kishte përfunduar në maj të vitit të kaluar. Granti i akorduar nga fondet IPA kishte si qëllim të rikthente në identitet ish shtëpinë ku u mbajt Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe dhe është investimi i vetëm serioz për ta shpëtuar nga shkatërrimi shtëpinë, e cila edhe pas shpalljes nga Qeveria si institucion nacional rrezikonte të dëmtohej.

Rikonstruimi i Muzeut u realizua në kuadër të projektit “Muzetë që lidhin kulturat dhe popujt”, Programit për bashkëpunimit ndërkufitar “Greqi- Maqedoni 2014-2020” në suaza të Marrëveshjes për Partneritet, me vlerë prej 780.682 euro në total.

Problemi u krijua për shumën 100 mijë euro, që kontraktuesit duhej t’i likuidohej për të përfunduar punimet. “Paratë sërish do të jepeshin nga IPA pasi të certifikoheshin shpenzimet për punimet e kryera, pasi Muzeu nuk ka burim të ardhurash të tjera nga t’i marrë. Në këtë rast është Ministria e Kulturës, që duhej të ndante një fond që sërish do t’i kthehej pas përfundimit të punimeve nga IPA, si një shenjë e vullnetit të mirë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kompania që u mor me rikonstruktimin priti, ka vite që pret dhe në fund bllokoi xhirollogaritë”, ka thënë Talija Petreska, bashkëpunëtore e jashtme e Muzeut, koordinuese financiare me IPA. Drejtori Zait Aliu, thekson se situata sa vjen dhe komplikohet, edhe pse u bë shumë kohë që janë në bisedime me Qeverinë, Ministrinë e Kulturës , Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, por pa arritur rezultat./Koha.mk

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey