Në kërkim të një hetuesi, kush janë kriteret për të qenë pjesë e “FBI shqiptare”

Nesër pritet që të hapet gara për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, të njohur ndryshe si FBI-ja shqiptare. Një nga emrat e lakuar deri tani si kandidat është edhe prokurori Adnan Xholi, por pas hapjes së garës pritet që të ketë edhe të tjerë.

Më pas do të jetë një grup me drejtues kreun e SPAK-ut, Arben Kraja që do të zgjedhin shefin e BKH-së. Ligji për SPAK-un, liston kriteret minimale që duhet të plotësohen nga kandidatët, ku përfshihet përvoja në punë, pasuria, integriteti, arsimimi, sjellja në të shkuarën, por edhe aftësitë mendore e fizike të aplikantëve. BKH do të ketë në përbërje 60 hetues. Oficerët shqiptarë do trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia dhe vetë kjo strukturë është me mbështetjen e fortë të Ambasadës Amerikane.

Janë 60 vetë që do të marrin eksperiencën e nevojshme për praktikat më të mira perëndimore dhe do të kenë në dispozicion pajisjet me moderne të hetimit. Në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar.

Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, e cila do të hetojë nën juridiksionin dhe për llogari të Prokurorisë së Posaçme përgatit dosjet, që më pas ia përcjell ato Gjykatës Speciale. Pra të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët, të dyshuar për çdo vepër penale, do të hetohen nga Byroja e Hetimit.

Por cilat janë kushtet për të qenë një kandidat i Byrosë Kombëtare të Hetimit? Ligji e përcakton qartësisht një gjë të tillë. Së pari, duhet plotësuar kushti për të qenë shtetas shqiptar, duke vijuar me arsimin e lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë së Hetimit.

Sipas ligjit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të kenë përvojë më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë.

Ndërkaq për përzgjedhjen e tyre do të ketë një test me 7 faza, që nis me plotësimin e një aplikimi online, përfshirë një curriculum në formë elektronike dhe dokumentet mbështetëse si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivimin për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit;

Më pas, do të ketë një provim me shkrim e me gojë ku përfshihen teste të sjelljes dhe të arsyetimit logjik si dhe një provim i zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit e shoqëruar me një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efiçencë.

Jashtë kritereve nuk mbeten as testi fizik që mat forcën dhe rezistencën fizike. Dhe mbi të gjitha këto do të kryhet një hetim mbi verifikimin e figurës, i cili konfirmon se personi nuk është dënuar e nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale; dhe së fundi të ketë dhënë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit dhe atij të riemërimit.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey