Në Klinikën Infektive s’ka më vende të lira, edhe spitalet e mbushura me pacientë me koronavirus

S’ka më vende të lira në Klinikën Infektive, edhe spitalet të mbushura me pacientë me COVID-19.

Në Klinikën Infektive në QKUK nuk ka mbetur asnjë shtrat i lirë për qytetarët tjerë të infektuar me COVID-19. Ata duhet të drejtohen në klinikat tjera COVID apo në spitalet rajonale, për shkak se në Klinikën Infektive sot janë të mbushur të gjithë shtretërit me pacientë, raporton Gazeta Express.

Të gjithë shtretërit në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të mbushur me pacientë të infektuar me COVID-19.

Infektologu në këtë klinikë, Salih Ahmeti, ka thënë për Express se 118 pacientë kanë qenë të shtrirë në këtë klinikë në mëngjes.

Ai është shprehur se janë duke punuar me kapacitete të plota dhe se nuk ka shtretër të lirë në këtë klinikë.

“Ne 118 pacientë i kemi pasur në mëngjes, tani janë shtuar duke u pranuar. Ne po punojmë me kapacitete të plota, aq sa kemi shtretër, gjithmonë janë të plotësuar këto ditë. Nuk ka shtretër të lirë. Ata mund të jenë të lirë për dy-tre orë derisa të kryhen lëshimet e të pranohen të tjerët, por brenda 24 orëve janë të mbushur vazhdimisht”, ka shtuar ai.

Me rritjen e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19, Klinika Infektive ka filluar të mbushet me pacientë.

Më 2 mars të këtij viti, në këtë klinikë kanë qenë të shtrirë 91 pacientë. Derisa, nga kjo ditë deri më sot është rritur edhe më shumë numri i të hospitalizuarve.

Përveç rritjes së numrit të rasteve të infektuara me këtë virus, së fundmi kemi parë edhe një rritje të numrit të viktimave.

Vetëm dje në Kosovë janë raportuar 827 raste të reja të infektuara dhe 16 viktima.

Ndërsa, nga kjo gjendje e krijuar, të rënduara me pacientë janë edhe spitalet rajonale në vend.

Nga Spitali i Pejës kanë thënë për Express se gjatë javëve të fundit kanë pasur rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar me COVID-19.

Nga ky spital kanë treguar se aktualisht janë të hospitalizuar 90 pacientë të infektuar me koronavirus.

“90 pacient janë aktualisht me COVID-19 duke u trajtuar në spitalin tonë. Rritje ka pasur në ditët dhe javët e fundit. Ne 166 shtretër i kemi për COVID-19, sipas vlerësimit të kapaciteteve tona që do thotë ende kemi vende, por ato po mbushen”, kanë thënë për gazetën.

Ndërsa, edhe drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri ka thënë se është rritur numri i pacientëve të infektuar me koronavirus që janë të shtrirë në këtë spital.

Ai ka thënë se 53 pacientë me COVID-19 janë të shtrirë sot, 4 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Zeqiri ka thënë se ka rritje edhe të numrit të pacientëve që po kërkojnë shërbime specialistike, por që po e menaxhojnë gjendjen.

“Ka pasur rritje të numrit të pacientëve që kanë kërkuar shërbime. 53 pacientë janë sot të shtrirë me COVID-19, 4 prej tyre janë në gjendje më serioze, ndërsa kemi pacientë që po kërkojnë edhe shërbime tjera specialistike”, ka theksuar ai.

Ndërsa, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala ka treguar se sot në këtë spital janë të shtrirë 92 pacientë.

Sipas tij, 1 është në respirator, 2 pacientë në ventilim mekanik joinvaziv dhe 56 të konfirmuar pozitiv me COVID-19.

79 nga këta pacientë janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 4 janë të konfirmuar negativ ndërsa 9 janë të pakonfirmuar.

Përndryshe, Shala ka treguar se edhe vet është infektuar me COVID-19 dhe është në izolim.

Derisa numri i rasteve të infektuara me koronavirus po shkon duke u rritur në vend, është shprehur nevoja urgjente për vaksinimin e qytetarëve.

Megjithatë, Kosova ende nuk ka arritur të furnizohet me asnjë vaksinë kundër COVID-19, ndonëse furnizimi.

Kujtojmë që deri tani në vend 83 mijë e 12 raste kanë rezultuar pozitive me koronavirus, ndërsa 1 mijë e 776 persona kanë vdekur si pasojë e këtij virusi.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey