Në Uashington dialogu strategjik mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut

Në Uashington nesër do të zhvillohet Dialogu Strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve. Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që hap një dialog të tillë me SHBA-të, një rrugëtim i ri që përmirëson partneritetin strategjik aktual midis dy vendeve, duke e çuar në nivel më të lartë.

Marrëdhëniet dypalëshe mes Shkupit dhe Uashingtonit, por për çështjet me interes global, do të jenë në fokus të dialogut strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve, thekson Ministria e Jashtme në Shkup, përcjell INA.

Në dialogun, që do të mbahet në Uashington, merr pjesë një delegacion qeveritar i kryesuar nga ministri i Jashtëm Bujar Osmani, ku janë ftuar edhe ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska. Përveç kësaj, zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, do t’i bashkohet Dialogut Strategjik përmes video-konferencës.

Një vend të rëndësishëm do të kenë temat në fushën e bashkëpunimit rajonal, mbrojtjes dhe sigurisë, energjisë, bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe investimeve, bashkëpunimit kulturor, si dhe çështjet në fushën e arsimit, zhvillimit demokratik, luftës kundër korrupsionit etj. Në të njëjtën kohë, do të bisedohet për proceset integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, presidencën e ardhshme të vendit me OSBE-në në vitin 2023, si dhe për sfidat aktuale të sigurisë dhe implikimet e tyre në sigurinë transatlantike.

Sipas MPJ-së, pas Dialogut Strategjik do të miratohet Deklaratë e Përbashkët ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, e cila do të riafirmojë përpjekjet e përbashkëta për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey