Nga bajgat tona, qerpiç nuk bëhet!

Nuk është se nuk ka kandidatë të zgjuar për kryetar komune, nuk është se nuk ka esnafë, nuk është se nuk ka njerëz të cilëve nuk mund t’u besohet. Ata do të sjellin projekte, para, por nuk mund të sjellin një kulturë elementare të jetesës që do të sjellë një ambient këtu, në shtëpi, për tu ndjerë si në qytet. Jo si në Tunguzi. Kush do ta gjejë veten në këtë kollumnë është absolutisht – problem i tij! Unë nuk kam menduar “pikërisht te ai”. Betohem! Ja, “pasha nënën Nurisha”!

Nga Agim JONUZ

Secili “selak” që ka bërë një euro më shumë mendon se është shefi në këtë anë të Vardarit. Unë nuk thash fshatar. Thashë “selak”. Dallimi është i madh. Ne të gjithë origjinën e kemi nga ndonjë fshat. Por për të qenë “selak” duhet të kesh talent. Dhe në këtë anë të Vardarit, talent t[ tillë ka sa të doni. Ata janë kampionë. Ajo është pjesa për të cilën nuk ka “as ligj as forcë” që mund të ndryshojë procesorin në trurin e tyre. Gjëja më e frikshme është se ata të diktojnë rregullat e sjelljes. Allah, sa shumë janë!

Në prag të zgjedhjeve lokale, le të kapim një temë që nuk ka të bëjë me atë se cili kandidat për kryetar komune do të ishte në Çair. Pse e gënjejmë veten dhe nuk e pranojmë se “ana tjetër e Vardarit” duket më e organizuar dhe më urbane. Nga ana tjetër, nëse dikush më thotë se “nuk ka selakë” në atë anë, duhet t’ia thotë dikujt tjetër, jo mua. Por, secili flet për anën e vet, siç do të thoshte populli “ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha”. Si e para, kultura e të jetuarit “tek ne” bazohet në një infrastrukturë më të vjetër, e cila për shekuj me radhë ka qenë pothuajse e pandryshuar. Gazi Baba, “Teneqe Mëhalla”, Serava Mëhalla, Dizhoni, dhe shumë vende të tjera janë një labirint shumë i madh për zgjidhjen e problematikës. Progresi urban në këto mjedise jo vetëm që nuk mund të hyjë në disa elemente, por duhet të rindërtohet tërësisht.

Për familja, unë jam një qytetar shumë i vjetër i Shkupit. Kam lindur pikërisht në zemër të Jaja Pashës. Unë e njoh mirë situatën. Një nga problemet më të mëdha në atë pjesë të qytetit është trafiku. Nëse askund në botë nuk ka kallaballëk, këtu ka. Nga njëra anë, hyrja dhe dalja në drejtim të Gazi Babës dhe Seravës vështirësohet në një ngushticë absolute dhe nuk ka qasje.

Fare nuk kam ndërmend të shpjegoj se çfarë ambienti ka në këto mëhalla. Kulmi i të gjithave, rruga kryesore është një vendi ku të gjithë Mercedesët në botë shfaqin “çallëmin” e tyre për të parë se kush është kush. Këtu parakalojnë veturat më të bukura dhe më të shtrenjta të Shkupit. Motorët më të çmendur. Çdo gjë që duhet të prezantohet në katër rrota do të shihni këtu. Ku qëndron problemi? Në mosdisiplinë dhe pakulturë. Po! Ne jemi të pakulturuar. Ja pse. Le të kthehemi te “selakët” nga fillimi i kësaj kolumne. Migrimi fshat-qytet ka bërë një ekspansion gjatë njëzet viteve të fundit. Erdhën edhe Hasani edhe Masani, dikush nga mali, dikush nga livadhi, dikush nga vendet ku ariu është “kafshë shtëpiake”. Por, ka ardhur me një “kesh” të madh. Të gjitha ato mëhalla të vjetra të Shkupit humbën vendasit e tyre që ikën në lagje më urbane dhe më të organizuara. Mjedisi u bë një “fshat urban”. U shfaqën disa sherifë të rinj lokal, të cilët nuk kanë asnjë ndjenjë ndaj mjedisit. Dhe, agresiv, me një pyetje të madhe që vazhdimisht e kanë në majë të hundës. “A e di be ti kush jam unë”!!!

Kush je be ti, aloo, ti je vetëm një çoban i pasur që ka parë asfalt me sy. Ne në Shkup nuk e dimë kush çka është!

Tek Jaja Pasha u ndërtua një urë për këmbësorë, e cila rezultoi të ishte një platformë ideale për reklama, dhe nga ana tjetër, popullata me gysmëalfabetizmin e vet për komunikacionin, nuk e përdorin fare atë. Rruga u zgjerua në suaza të mundësisë, dhe përsëri ka edhe më shumë bllokime. U vendosën blloqe betoni në mënyrë që të mos kalohet rruga, por këmbësorët e kërcejnë atë si një gomar të gjymtuar.

Xhungla e quajtur Bit Pazar – Jaja Pashë – Çair – Butel nuk ka ilaç. Këtu nuk bëhet fjalë për progres urban. Ka të bëjë me një moskulturë elementare të sjelljes. Në masë të thjeshtë që udhëhiqet nga rregulli i trafikut të “ligjit të më të fortit” dhe jo më të zgjuarit dhe të kulturuarit. Për të arritur një farë progresi urban, është e nevojshme që së pari të përjetohet një evolucion i madh i vetëdijes. Dhe për një gjë të tillë duhet kohë. Çfarë kohe kërkohet nga çobanë, të cilët duan të bëhen “fraerë urban” brenda natës? Po! Një masë e madhe janë fraerë, por jo urban. Nejse, nuk ka rëndësi, edhe për të tillët duhet të ketë vend nën këtë qiell.

Le t’i kthehemi mjedisit në të cilin jetojmë ne në këtë anë të Vardarit dhe të pyesim veten se çfarë është ajo që pushteti lokal mund të bëjë dhe premtojë, dhe gjërat të jenë më ndryshe? Unë pretendoj se asgjë nuk mund të bëhet për një kohë të gjatë. Për të ndryshuar diçka, si e para duhet të ndryshojë ndërgjegjja e popullatës në raport me mjedisin. Bërlloku, kaosi dhe rrëmuja krijohen nga vetë popullata. Të jetosh në “geto” është një zgjedhje. Vetë njerëzit getoizohen në një mjedis në të cilin dobësitë dhe primitivizmi i tyre justifikohen me faktin se dikush tjetër nuk po bën asgjë. A çfarë bën ti për veten tuaj? Është e rëndësishme të shëtitësh me makinën tënde të shtrenjtë nëpër Çair, që të të shohin, që të ngresh çallëmin deri në qiell dhe askush të mos guxojë të të dënojë ose as të t’i përgjigjet pyetjes “kush jam unë”. Ja unë do të të përgjigjem! Ti je një bostan be shoq. Shihet se ke dalë nga fshati, por fshati nuk ka dalë nga ti, dhe nuk do të del për një kohë të gjatë. Dhe, a me ty unë do ta ndërtoj Shkupin e shekullit 21 (në këtë anë të Vardarit)? Po ti po me kthen prapa be shoq!

Dua të theksoj edhe një herë se këtu nuk po flas për fshatarët që janë shpërngulur në qytet. Po flas për “selakët”. Kush e sheh veten në tekst, është problemi i tij. Dhe nëse dikush më pyet se si e lejoj veten të flas kështu, edhe për këtë kam përgjigjen. Askush nuk mund të më bindë se ekziston kryetar komune në këtë anë që mund të sjellë çfarëdo ambienti të ri, modern dhe urban. Kjo anë ka qenë, është dhe do të jetë e getoizuar. Por kush është fajtor për këtë, është më e lehtë të thuash “Filan-Fisteku” ose “kaurët”! Ajo është një linjë e rezistencës më të vogël dhe pyetje për shkencëtarët që merren me probleme sociologjike.

Unë këtu aspak nuk po i etiketoj shqiptarët si popull. Ta kemi të qartë. Ky është një mjedis i përzier, dhe në të njëjtën kohë fjala “selak “, “primitiv” nuk ka as fe as komb. Ashtu sikurse krimineli. Ai nuk ka “as dinë as iman”! Selaku është selak!

Dikush do të thotë “fukarallëku” po e bën të veten. Jo! Definitivisht jo! Nëse je fukara, kjo nuk do të thotë që nuk mund të kujdesesh për higjienën urbane, të respektosh trafikun, të mos jesh agresiv, të sillesh më me kulturë ndaj vetes dhe të tjerëve. Rahmetli gjyshi im thoshte “nga bajgat tona qerpiç nuk bëhet”! Dhe ai kishte të drejtë. Kjo anë e Vardarit do të jetë një geto për një kohë të gjatë, ndërsa mesatarisht ka vetëm 500 metra linjë ajrore nga qendra e Shkupit. Më vjen keq që kur eci në atë anë të Vardarit ndihem “si në qytet”, dhe kur kthehem, përveç që jam “në shtëpi”, nuk e di se ku jam!

Nuk është se nuk ka kandidatë të zgjuar për kryetar komune, nuk është se nuk ka esnafë, nuk është se nuk ka njerëz të cilëve nuk mund t’u besohet. Ata do të sjellin projekte, para, por nuk mund të sjellin një kulturë elementare të jetesës që do të sjellë një ambient këtu, në shtëpi, për tu ndjerë si në qytet. Jo si në Tunguzi.

Kush do ta gjejë veten në këtë kollumnë është absolutisht – problem i tij! Unë nuk kam menduar “pikërisht te ai”.

Betohem! Ja, “pasha nënën Nurisha”!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey