Një jetëshkriM ndryshe për Arif Seferin

Jetojmë në një kohë kur antivlerat kanë dalur në sipërfaqe, kurse vlerat e vërteta ose mohohen e zbehen, ose edhe shtrembërohen për interesa të politikës ditore.

Janë shkruar e po shkruhen nga dita në ditë vepra, që si qëllim kanë jetepërshkrimin e njerëzve që kontribuan për çështjen kombëtare. Në shumë prej tyre, autorët në vend që të flasin për personazhin kryesor të vepres, ndodh që të flasin më tepër për veten e tyre, të „bëmat“ e tyre dhe „këshillat“ që u kanë dhënë heronjëve.

Nuk duhet të jetë e vështirë të bësh portret dëshmorësh, por shumë e vështirë duhet të jetë të gjeshë fjalët për t`i përshkruar ata në tërësinë e tyre madhështore, pasi vepra e tyre qëndron mbi lartësinë e çdo përshkrimi që mund t’u bëhet atyre.

Është sa nder poaq edhe përgjegjësi të bëshë një shkrim për vepra të tilla, e megjithatë, ndjehem i nderuar të them disa fjalë mbi librin monografik për Heroin – Arif Seferi, me autorë Avni Dehari dhe Destan Hajdini, botim i dytë i plotësuar, i botuar në përkujtim të dëshmorit, me rastin e 25-vjetorit të vrasjes në burg.

Që në fillim, në kapitullin Jetëshrimi,autorët shkurt por në mënyrë të thuktë e vërtetojnë se „dardha pikë ndër dardhë“ duke përshkruar historikun e familjes Seferi.

Që nga prejardhja e tij nga fshati Sefer si vendlindje e edhe të një burri të madh të kombit, Idriz Seferit, e deri te prindërit e vet, (i ati Isufi), që qysh herët iu kundërvunë pushtuesit otoman, dhe, si pasojë, shtëpia e tyre digjet dy herë. Të njëjtën rrugë, pa asnjë ngurrim e vazhdoi Arifi, i cili që në moshë të re u brumos me rrëfimet e të parëve të tij për të bëmat e Idriz Seferit me bashkëluftëtarë.

Duke na sjellur në kronikë jetën e dëshmorit Arif Seferi, autorët na i sjellin edhe kronikat e luftërave në vazhdimësi, që i bëri populli ynë në kohën kur jetoi dëshmori. Aty, autorët paraqesin dhe vënë në pah edhe marrjen e tipareve të një pjesëmarrësi aktiv të heroit, në përplasje jo vetëm me pushtuesin, por edhe me vështirësitë jetësore që kishte shkaktuar pushtimi.

I frymëzuar nga thënie të rilindasëve, si Nam Frashëri, se „vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë“, Arif Seferi do t`ia mësyente Normales në Kumanovë dhe pas përfundimit do të fillonte me rrugëtimin me „Qiriun e Naimit“, – arsimimit të popullit, gjeneratave të tëra, që shumë nga to do të rradhiteshin në rradhën e rezistuesve dhe kryengritësve të atëhershëm, duke vazhduar me pjesëmarrjen aktive në ngarjet e vitit 1968, që kishin shpërthyer në mbarë hapësirën shqiptare, në përmasa e forma të ndryshme. Arifi së bashku me veprimtarë të tjerë, qe angazhuar që të ngritet dhe valëvitet flamuri shqiptar.

Por, a do të vijë dita kangët me u zgjue?

Apo ndoshta shekujt me ne prapë po tallen?

Jo! Jo! Se liria filloi me lulëzue !

Dhe e ndjej nga dielli (alegorik) valën…

(Migjeni – Këngët e pakëndueme).

Ishin ngjarjet heroike të vitit 1981, që si rreze drite u shpërndanë në tërë hapësirën shqiptare, si energji që më vonë do të kulmoj me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngjarje, që bënë që pushtuesi sllav, Kumanovën heroike ta quaj si një Albani të vogël, ku rezistenca për gjuhë, arsim dhe liri kombëtare qe bërë halë në sy të armiqve të kombit.

Autorët kur shkruajnë se „Arifi nuk priti që dikush t`i trokasë në derë, por vetë e gjeti LPRK-në“ , jo vetëm që na e sjellin vendosmërinë e Arfiti për të qenë në shërbim të çështjes kombëtare, por edhe largpamësinë e tij për proceset që po ndodhnin në hapësirën shqiptare.

Arifi lajtmotiv të tijin thuhet që e ka patur thënien e Jusuf Gërvallës, që „organizatën duhet ta ruajmë sikur sytë e ballit“, andaj u kujdes mjaft shumë për të. Kështu, autorët ua sjellin lexuesve të tyre Arifin jo vetëm si shpërndarës të literaturës dhe shtypit atdhetarë të kohës, por edhe si veprimtar aktiv të LPRK-së, i cili duke e ditur rëndësinë e zgjerimit dhe forcimit të rradhëve të veprimtarëve në të gjitha viset e pushtuara, lidhet ngushtë me veprimtarin e shquar të Lëvizjes për kohën, heroin Fadil Vata, bashkëpunim që do të vëhet në pah, kur këta të dy do të marrin pjesë si delegatë nga Kosova, në Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme të LPRK-së në Zvicër.

Në vazhdë të kësaj, autorët na sjellin edhe qëndrimin e Arifit, në kohën kur po mbahej edhe Referndumi mbi Sovranitetin e Maqedonisë, që Arifi dhe LPRK-ja e kundërshtonin me frocë, se „duhet t`i prijmë çështjes, dhe duhet ta çojmë përpara; duhet t`ia hapim rrugën duke e trasuar pa kurfarë kompromisi; me këtë kuptohet bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, pra, edhe sovraniteti ynë“.

Me anë të shumë fakteve, si Peticioni i Vitit 1989, drejtuar OKB-së, procesverbalet e hetuesisë dhe gjykatave mbi ndjekjen e Arifit, dhe dënimin e tij, autorët na e sjelin shumanshmërinë e veprimtarisë së Arifit, që sipas autorëve nuk mbeti vetëm teori, por edhe u konkretizua në praktikë, për të trasuar atë që pasoi më vonë, rrugën e rezistencës së armatosur, e që si shembull na e sjellin kujdesin për ndërtimin e Shtëpisë – Bazë së të LPKRK- së në Strazhë.

Hapësirë të veçantë në këtë Jetëshkrim për dëshmorin, autorët i japin edhe opinioneve të bashkëveprimtarëve të Arifit. Kështu që, ku lexon opinionet e tilla, të vie ndërmend „rrugëtimi“ i bustit të Ibrahim Kovaçit (Hero i Popullit) tek filmi „I teti në bronz“ , ku bashkëveprimtarët, gjatë atij rrugëtimi, rrëfejnë për të bëmat e heroit.

Autorët Avni Dehari dhe Destan Hajdini asnjëherë nuk rrëfyen në vetën e parë, sipas motos: „i thash, e më tha; e udhëzova…etj.“ Ata i dhanë opinionit shqiptar dhe gjeneratave të reja një tablo të jetës së njërit nga dëshmorët e shumtë të kombit, rrugën që trasuan deri këtu ku jemi sot, dhe nga ku duhet të marrin shembull të sotmit, por edhe të ardhshmit, se vetëm të bashkuar dhe me një qëllim (siç thotë mjaft bukur edhe himni ynë kombëtar) mund të ecim përpara drejt realizimeve të qëllimeve tona dhe të dëshmorëve.

Autorët rrëfejnë me aq thjeshtësi, saqë edhe lexuesi i gjeneratave pasuese, do ta kuptojë fare lehtë madhështinë e kohës së njerëzve si Arif Seferi me shokë.

Lavdi Jetës së Veprës së dëshmorit Arif Seferi dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

(Ky vështrim është paraqitur në promovimin e librit, të organizuar në Bern dhe Zürich, më 9 mars 2019 nga Shoqata Kulturore “Mëmëdheu”)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey