Nuk ka qetësi për Francën; Një i vdekur, disa të plagosur nga sulmi me thikë!

Hija e terrorit është rikthyer në Francë duke zbehur gëzimin e këtyre ditëve festive. Një person humbi jetën e disa të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thikë në periferi të Parisit.

Agresori qëlloi kalimtarë të rastit në Villejuif, rreth 7 km në jug të kryeqytetit francez, përpara se policia të vihej në ndjekje të tij, e në fund, efektivët ta qëllonin duke e vrarë në vend. Sipas disa raporteve, personi mbante në trup një jelek me eksplozivë, por kjo ende nuk është konfirmuar.

Daily Mail thotë se jeleku ishte i rremë. Katër janë personat e lënduar nga goditjet me thikë; dy prej tyre mbeten në gjendje kritike për jetën.

Sulmi ndodhi përpara një supermarketi. Dëshmitarët thonë se burri ka thirrur “Allahu Akbar” përpara sulmit, ndërsa duket se viktimat janë zgjedhur fare rastësisht. Policia e ka këshilluar banorët të shmangin zonën që ndodhet shumë pranë parkut shtetëror Hautes-Bruyères.

Motivi i sulmuesit nuk është ende i qartë. Franca është përballur që prej 2015-tës me një seri sulmesh terroriste të ndërmarra nga militantë të Shtetit Islamik dhe Al Kaedës. Akti më vdekjeprurës në vend ishte ai i nëntorit të përpara 5 viteve, kur 130 vetë u vranë në Paris, në sallën e koncerteve Bataclan.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey