Nuk ndalet Irani: Do t’ua vëmë flakën lokacioneve që i mbështet SHBA-ja

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, gjenerali Hossein Salami, tha se do “t’ua vë flakën” lokacioneve që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të vrasjes së udhëheqësit të forcave elitë të Iranit, Qasem Soleimani.

Salami i bëri komentet të martën në qytetin Kerman, ku turma të mëdha njerëzish u mblodhën për funeralin e Soleimanit.

Vrasja e tij më 3 janar, në një sulm me dron të SHBA-së, i ka çuar në kulm tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit.

“Do të hakmerremi. Do t’ia vëmë flakën gjithçkaje që ata pëlqejnë”, tha Salami, duke brohoritur së bashku me turmat “vdekje Izraelit”.

Izraeli, për kohë të gjatë, është armik rajonal i Iranit.

Uashingtoni e ka fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe e ka akuzuar atë për komplot për sulme të reja pak para vrasjes së tij, javën e kaluar pranë aeroportit të Bagdadit.

Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.

Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar si “terrorist”.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey