OBSH: Një vlerësim i ri për AstraZeneca është duke u zhvilluar

Pritet i njëjti rekomandim

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk pret të ketë asnjë arsye për të ndryshuar vlerësimin e saj të mëparshëm se përfitimet e vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 tejkalojnë çdo rrezik, tha një zyrtar nga organi rregullator i OBSH-së sot në një konferencë shtypi.

“OBSH po studion me kujdes të dhënat e fundit së bashku me rregullatorët evropianë dhe rregullatorë të tjerë, të cilët i referohen raporteve të mpiksjes së gjakut te njerëzit që morën vaksinën AstraZeneca”, konfirmoi Rogerio Gaspar, drejtori i organit rregullator të OBSH-së, raporton Reuters.

Gaspar deklaroi se ai pret që organi rregullator të bëjë një vlerësim të ri të mërkurën ose të enjten, por që ai nuk beson se do të ketë një arsye për të ndryshuar rekomandimin e dhënë më herët, sipas të cilit përfitimet e përdorimit të kësaj vaksine tejkalojnë çdo rrezik.

Ndryshe, Marco Cavaleri, shefi i skuadrës së vlerësimit të vaksinave pranë Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) tha sot për “Il Messaggero” se ka një lidhje mes vaksinës AstraZeneca dhe trombozave tepër të rralla në tru, por shkaqet e mundshme janë ende të paditura.

“Në mendimin tim mund të thuash që ka një lidhje të qartë me vaksinën. Sidoqoftë, nuk e dimë ende çfarë e shkakton këtë reaksion”, tha Cavaleri.

Cavaleri shtoi se EMA do të thotë edhe zyrtarisht se ka një lidhje të tillë, por nuk mund të dalë ende me një deklaratë zyrtare sa i përket moshës së cilës duhet t’i administrohet vaksina AstraZeneca.

Ai nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij, ndërsa AstraZeneca nuk ka komentuar mbi deklaratën.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey