Opozita shqiptare tërheq kandidatin e saj për kryetar të Kërçovës

Alternativa si pjesë e koalicionit me Aleancën për Shqiptarët kishte propozuar kandidatin e saj për kryetar të komunës së Kërçovës, por që sot u bë e ditur se tërheqin kandidatin.

Ja edhe njoftimi zyrtar nga Alternativa:

Po ju drejtohemi sot për çështjen e kandidaturës së kryetarit të Komunës së Kërçovës. Siç e dini, në emër të koalicionit AlternAtiva & Aleanca për Shqiptarë, ne e kishim të drejtën ta propozojmë kandidatin për kryetar të Komunës së Kërçovës dhe ky emër ishte Mazllam Osmani – anëtar i Kryesisë Qendrore të Alternativës.

Megjithatë, sot kur dorëzohen kandidaturat, jemi këtu për të thënë se ne nuk mund të bëjmë asnjë veprim që mund të jetë në dëm të shqiptarëve. Ne gjykojmë se Kërçova është peshorja e ndërgjegjes sonë kombëtare.

Ndonëse përçarja e votës ka filluar qëkur BDI-ja insiston me ngulm që të nxjerrë kandidat puropartiak dhe atë ta shesë në emër të kombit, ne nuk duam të jemi aktorë në temën e përçarjes së votës shqiptare. Duke qenë të prirë për t’i vendosur interesat kombëtare para atyre partiake, por edhe duke e respektuar thirrjen e mërgatës për unifikim, ne disa herë në të kaluarën kemi bërë thirrje që në Kërçovë të kandidojmë me një kandidat të përbashkët shqiptar, por kjo nuk ka ndodhur pikërisht për shkak të insistimit të BDI-së për kandidat partiak.

Sidoqoftë, ne jemi sot këtu që – duke e respektuar edhe kësaj radhe thirrjen e mërgatës sonë atdhetare – t’ju themi se Mazllam Osmani nuk është në garë për kryetar të Kërçovës. Ne tërhiqemi nga gara, sepse nuk dëshirojmë ta rrezikojmë fitoren shqiptare të Kërçovës.
Mbetemi me shpresë se Kërçova do të frymojë përsëri shqip, ndërsa ata që insistojnë me kandidatura të konsumuara partiake u qoftë për nder dëmi që mund ta bëjnë!

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey