Osmani me letër deputetëve: Të premten ju vendosni për të ardhmen evropiane të RMV-së

Nesër pritet të fillojë seanca plenare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për hapjen e rrugës së vendit për në Bashkimin Evropian. Derisa fronti opozitar shqiptar sot kushtëzoi votimin e këtyre ndryshimeve me largimin e definimit të 20% të shqiptarëve në Kushtetutë, ministri i Jashtëm – Bujar Osmani […]

gusht 17, 2023 - 13:30
 0  10
Osmani me letër deputetëve: Të premten ju vendosni për të ardhmen evropiane të RMV-së

Nesër pritet të fillojë seanca plenare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për hapjen e rrugës së vendit për në Bashkimin Evropian. Derisa fronti opozitar shqiptar sot kushtëzoi votimin e këtyre ndryshimeve me largimin e definimit të 20% të shqiptarëve në Kushtetutë, ministri i Jashtëm – Bujar Osmani u ka dërguar letër deputetëve të Kuvendit ku u thotë se e ardhmja evropiane e vendit është para duarve të tyre, shkruan Portalb.mk.

Osmani në letër  ju thotë deputetëve se nga ata varet nëse me pranimin e ndryshimit të Kushtetutës do t’i vazhdojmë bisedimet për kapitujt e anëtarësimit në Union apo do të ngecim në negociata për një afat më të gjatë, deri në një mundësi të re, pa asnjë garanci suksesi, duke nxitur procesin e “pasaportizimit” të qytetarëve që kërkojnë një të ardhme evropiane për veten e tyre.

“I kuptoj të gjithë ata që kanë frikë nga mundësia e përpjekjeve të mëtejshme për mohim dhe për të vendosur kushte të reja bilaterale. Me shumë përgjegjësi pohoj se çështjet historike dhe identitare nuk janë pjesë e udhërrëfyesve dhe dispozitave nga të cilat varet hapja dhe mbyllja e kapitujve. Me këtë ndryshim të Kushtetutës, ne vetëm do ta përforcojmë pozitën tonë ndërkombëtare dhe do ta rrisim mbështetjen ndërkombëtare për qëllimet tona. Përmes negociatave do të përmirësohen dhe forcohen dukshëm mundësitë për të vazhduar promovimin dhe avancimin e veçantisë, historisë dhe kulturës nacionale maqedonase”, thuhet në letër.

Ai më tej thekson se çdo njeri dhe politikan/e do të ishte i/e lumtur të ngelte në kujtesën e historisë që ka vepruar në mënyrën e duhur kur ka qenë më së shumti e rëndësishme.

“Të ngelet në kujtesë se ka qenë në anën e duhur, se nuk ka hezituar në vendimin me të cilin ka ndihmuar vendin të ecë përpara, ndërsa njerëzit në të të jetojnë më mirë”, thotë mes tjerash letra.

Nga ana tjetër, sot blloku opozitar shqiptar në Kuvend – Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, përmes një konference për shtyp kushtëzuan se nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për shqiptarët në kushtetutë, nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese.

Nesër në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pritet të fillojë seanca plenare për ndryshimet kushtetuese, të cilat pritet t’i hapin rrugën eurointegruese vendit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin e Qeverisë për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës, ndërsa Komisioni për Çështje Kushtetuese në Kuvend më 25 korrik e miratoi propozimin. Me këtë, praktikisht filloi procedura për ndryshime kushtetuese sipas obligimit që e ka marrë Maqedonia e Veriut në korrik të vitit të kaluar gjatë fillimit të bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian, dhe këto konkluzione ia kaloi Kuvendit.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kuvendi fillimisht duhet të votojë rendin e ditës me një pikë të vetme – Propozim për Fillimin e Ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të cilin nevojiten 61 vota.

Kjo seancë mund të zgjasë më shumë se dhjetë ditë pune.

Më pas, vendimin ndryshimin e Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota. Nëse nuk ka shumicën e kërkuar, procedura nuk mund të vazhdojë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.