Pandemia uli vaksinimin e rregullt te fëmijët në Maqedoni

Mjekët pediatër në Maqedoninë e Veriut kanë ngritur shqetësime për shkak të shkallës së ulët të vaksinimit të fëmijëve me vaksinat e rregullta, gjegjësisht vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave, shtyrje kjo e cila vjen si rrjedhojë e pandemisë, përkatësisht masave për frenimin e koronavirusit.

“Situata që solli pandemia COVID-19 e bëri të veten. Shkollat nuk punonin, as kopshtet e fëmijëve dhe nuk kishte mundësi si të thirreshin fëmijët për t’i vaksinuar. Njëherësh prindërit kishin frikë nga infeksioni dhe në të njëjtën kohë kishim dhe masat për frenimin e virusit që të mos dilej nga shtëpia. E gjithë kjo ndikoi në uljen e përfshirjes së vaksinimit te fëmijëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bekim Ismaili, kryetar i Shoqatës së Mjekëve Amë.

Për sigurimin e imunitetit kolektiv nevojitet që të vaksinohen më shumë 95 për qind e fëmijëve me vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave.

Por, në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2020 vetëm 63 për qind e fëmijëve e kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine, si dhe 68 për qind e tyre janë vaksinuar me dozën dytë.

Vitin e kaluar, më 2021, shkalla e vaksinimit të fëmijëve me dozën e parë për fruthin dhe rubeolën ka arritur në 70 për qind. Ndërkaq me dozën e dytë janë vaksinuar 80.4 për qind e fëmijëve, që është larg përqindjes së nevojshme për arritjen e imunitetit kolektiv.

Nivel më i ulët i vaksinimit të fëmijëve me vaksinat e rregullta është shënuar në Kumanovë me rrethinë, gjithsej nën 50 për qind, përderisa mbulim më i lartë gjatë vitit 2021 me dozën e parë të MMR-së është shënuar në Prilep me 98 për qind dhe Koçan me 95.5 për qind.

Mjekët bëjnë thirrje që të përshpejtohet kjo dinamikë, në të kundërtën ekziston rrezik real nga një pandemi e re.

Mjekja pediatre Sonja Ralleva, e cila është pjesë e ekipit për vaksinimin e fëmijëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të rritet përfshirja e fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit dhe rubeolës, në të kundërtën, shton ajo, Maqedonia e Veriut rrezikon të përballet me një pandemi të re të sëmundjeve infektive si rrjedhojë e mospërfilljes së kalendarit të detyrueshëm të imunizimit të fëmijëve.

“Kërcënimi, në bazë të numrave është më se real pasi kemi të bëjmë me rënien e shkallës së imunitetit kolektiv me vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave. Është logjike që të pritet pandemi e re nëse nuk e korrigjojmë këtë gjë dhe nuk e ngritim nivelin e imunizimit”, thotë Ralleva.

Për nivelin e ulët të vaksinimit të rregullt të fëmijëve krahas kufizimit të lëvizjes, ka ndikuar dhe mungesa e fushatës për realizimin e së njëjtës, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali./rel

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey