Paralajmërimi i Xhaferit pas mungesës së kuorumit, thotë se do të dorëzojë nismë për shpërbërje të Kuvendit

Për shkak të mungesës së kuorumit, kryeparlamentari Talat Xhaferi ka ndërprerë sot seancën e 79-të të Kuvendit.

Gjatë mbylljes së seancës, Xhaferi ka reaguar pasi 85 deputetë janë nënshkruar në listën e prezencës, por vetëm 58 kanë hyrë në sallën plenare. Nga seanca plenare ai u apeloi partive në pushtet që nuk po angazhohen sa duhet për kuorumin në Kuvend, të dorëzojnë nismë për shpërbërjen e Kuvendit nëse ky është qëllimi i tyre.

Në të kundërtën paralajmëroi se vetë ai si kryetar Kuvendi do të dorëzojë nismë për shpërbërje, nëse Kuvendi vazhdon të mos funksionojë për mungesë kuorumi. Xhaferi thirri kryetarët e partive të koalicionit qeveritar në konsultim pas dështimit të seancës së sotme.

Në takim, siç thonë nga kabineti i Xhaferit, kryeparlamentari i rikujtoi se me sjelljen e këtillë tregohet se për deputetë të caktuar, prioritet është diçka tjetër e jo praktikimi i mandatit që u është besuar nga qytetarët. Ai po ashtu theksoi se në rast se ka çfarëdo dallimesh në qëndrime të caktuara brenda në koalicion, të njëjtat duhet të zgjidhen në nivel tjetër, jo në sallën plenare./ Alsat.mk

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey