Pas tërmetit, futboll/ Teuta do presë Skënderbeun në Durrës, por a është gati fusha! (FOTO)

Sharing is caring!

Stadiumet e Durrësit dhe Tiranës u kthyen në këto ditë tragjedie, një vend ku u strehuan të prekur nga tërmeti shkatërrues dhe pikë grumbullimi për ndihmat e shumta. Por në të njëjtat impiante, pritet që futbolli të rikthehet me një festë të bukur, si simbol i ringritjes dhe rigjallërimit të qyteteve që po vuajnë më shumë pasojat.

Kështu federata Shqiptare e Futbollit pasi pezulloi të gjithë kalendarin për shkak të situatës së krijuar, do të organizojë ndeshjet e kategorisë Superiore në dy ditë. Tirana do të presë Kukësin të shtunën në orën 16:30 në stadiumin Selman Stërmasi, në të njëjtin vend ku bardheblutë u solidarizuan me të prekurit duke ngritur çadra e tenda e duke grumbulluar ndihma. Në po të njëjtën ditë Bylis pret Partizanin dhe Luftëtari luan me Vllazninë, të dy ndeshje në orën 13:30.

Edhe pse me shumicën e banorëve të larguar dhe me dhjetëra banesa të dëmuara nga tërmeti, Durrësi do t’i rikthehet futbollit me një ndeshje që merr një simbolikë të veçantë në “Niko Dovana”. Në stadiumin e kthyer në vend takimi për dhjetëra të prekur dhe vullnetarë që ndihmuan me pasojat e tërmetit, Teuta do të luajë ndaj Skënderbeut, të dielën në orën 16:30.

Fusha sigurisht nuk do jetë në gjendje optimale, por zhvillimi i ndeshjes shihet si një mesazh nga FSHF për të rikthyer gëzimin në një qytet që po vuan më shumë tragjedinë.

Sharing is caring!

Loading...
shares