Pas zhvillimeve të fundit bëhet i gjallë Isa Mustafa, ky është reagimi i tij

Isa Mustafa për zhvillimet e fundit: Kësaj situate i thonë “Keni dëshiruar, shikoni”

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa thotë se nuk është asgjë e re tentimi i VV-së për ta miratuar Ligjin për Zgjedhjet në orët e vona të natës së mbrëmshme. Mustafa për Gazetën Express tha se Kosova do të dëmtohet nga praktikat dhe mentalitetet e tilla dhe sipas tij kësaj situate i thuhet “Keni dëshiruar, shikoni”.

Kryeministri Albin Kurti mbrëmë në mbledhjen e qeverisë procedoi tutje për në Kuvendin e Kosovës shqyrtimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Megjithatë, në seancën e thirrur në orën 21:30, nuk kaloi propozimi i VV-së që shqyrtimi i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar pasi nuk mori 2/3 e të pranishmëve në Kuvend si pasojë e votimit kundër nga opozita.

Lidhur me këtë zhvillim, ish-kryeministri Isa Mustafa ka folur për Gazetën Express i cili i tha se nuk është befasuar ngase populistët që kanë fituar zgjedhjet.

“Unë nuk shoh asgjë të re dhe befasuese nga popullistët, që i fituan zgjedhjet. Popullizmi dhe vota populliste prodhon sjellje te tilla, të cilat s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë. Kësaj situate i thonë : “Keni dëshiruar, shikoni”, tha ish-kryetari i LDK-së të shtunën.

Ai u shpreh i bindur se Kosova do të dëmtohet nga praktikat dhe mentalitetet e tilla.

“Për fatin tonë të keq, vendi do të dëmtohet nga praktikat dhe mentalitetet e tilla. Jam shumë i bindur”, tha ish-kryetari i Prishtinës.

Kërkesat që kryeminsitri Kurti të tërhiqet nga shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme

Kundër vendimit për shqyrtim të Ligjit për Zgjedhje kanë dalur opozita dhe shoqëria civile të cilët e kanë kritikuar kryeministrin Kurti pasi sipas tyre, ngutia për ta proceduar ligjin pa konsultime përmbajtësore me opozitën dhe shoqërinë civile është i gabuar dhe kanë kërkuar nga ai që të tërhiqet.

“I bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje si iniciues e kësaj nisme legjislative që të tërhiqet nga kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Pasi edhe në rast të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin dhe si rrjedhojë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, zbatimi i ndryshimeve të propozuara do të haste në vështirësi për shkak të afateve të shkurta për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës jashtë vendit. Në këtë mënyrë do të komprometohej i gjithë procesi zgjedhor”, thuhet në kërkesën e Organizatave Joqeveritare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në konferencën e mbajtur mbrëmë, ka thënë se nëse nuk tërhiqet propozimi i ndryshimit për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, kryeministri Albin Kurti do e çojë vendin në zgjedhje.

“Ky ligj duhet të jetë pjesë e sistemore zgjedhore, për të cilën ka nevojë vendi ynë. Me veprimet e sotme kanë propozuar opozitën nga një proces reformimi, i cili duhet të ishte rezultat i bashkëpunimit me ta. Veprimet e sotme janë me qëllime të shantazhimit, të opozitës së vendit, ajo shumicë ka kuptuar se nuk mund të përballen me pandeminë dhe gjendjen ekonomike në vend. Sot Kurti u porpoq të shantazhojë me shkuarjen në zgjedhje”, deklaroi ai.

“Në emër të LDK’së, iu bëj thirrje kryeministrit Kurtit dhe shumicës parlamentare që të heqin dorë nga ky shantazh i sotëm në raport me opozitën e vendit. Kërkojmë ky ligj të tërhiqet, nëse nuk tërhiqet ky ligj, atëherë kryeministri Kurti na dërgon në zgjedhje’, deklaroi tutje ai.

Reagime të ashpra pati edhe nga dy partitë e tjera opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kundërshtuan “ngutjen”, e Vetëvendosjes për ta ndryshuar ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Kryetari i partisë më të madhe opozitare PDK, Enver Hoxhaj tha kryeministri Kurti po do që vendin ta dërgojë në zgjedhje të parakohshme. “Në vend se qeveria të merret me vaksinimin e qytetarëve, menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike, Kurti shkakton krizë politike duke rrezikuar vendin të shkojë serish në zgjedhje në kohë pandemie”, tha Enver Hoxhaj.

Megjithatë, kryeministri Kurti sot në mëngjes reagoi duke thënë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme do të procedohet në mënyrë të rregullt.

Kurti i tha opozitës që i kanë zgjedhjet në dorë ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne nuk mund dhe nuk duam ta çojmë vendin në zgjedhje të sërishme sepse ne duam ta zgjedhim Presidenten e re. Ata që nuk e duan zgjedhjen e Presidentes, ata që nuk e duan Presidenten, që kanë bërë e po bëjnë luftë speciale kundër saj, mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Me zgjedhjen e tyre ata i kanë zgjedhjet në dorë: ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Kurti.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey